Pse nuk jemi në gjendje të ruajmë trashëgiminë kulturore në Ferizaj dhe Kacanik?

Një mori asetesh arkeologjike dhe arkitekturore karakterizojnë komunën e Ferizajit dhe Kaçanikut, por dhe një mori ligjesh që duhet t’i mbrojnë ato. E metë e madhe që pavarësisht ligjeve, këto dy kategori vazhdojnë të dëmtohen dhe të zhduken, ndërsa institucionet që kanë përgjegjësinë kryesore të luftojnë këto dukuri, shpesh herë janë nismëtarët e shkatërrimit të tyre.

Ndërtesa e Gjimnazit të Parë në Ferizaj është njga ndërtimet më me rendësi në qytet, për të cilën java më parë kanë filluar edhe punët e restaurimit, por që është dashur kohë që të arrihet deri në këtë pikë. Në vitet 2016-2017 ka pasur tentativa për ta rrënuar nga institucionet lokale, por kjo u ndalua nga reagimet e shumta që ka patur në atë kohë nga qytetarët.

Në anën tjetër ndërtesa e shkollës ‘‘Tefik Çanga’’, e ndërtuar në fillim të vitit 1920, e cila i përkiste po të njëjtës periudhë ndërtimi sikurse shkolla e parë shqipe me të njëjtin stil arkitekturor, është rrënuar në vitin 2010 me vendim të komunarve të Ferizajt. Mbi vendqëndrimin e dikurshëm të objektit të shkollës me vlera të veçanta arkitektonike për qytetin e që përcjellte kujtesë për shumë gjenerata, është ndërtuar një ndërtesë e re e një shkolle fillore që mban emrin e Tefik Çangës.

Përderisa në Kaçanik, kalaja që gjendet në zemër të qytezës, hapësira brenda saj shfrytëzohet si parking. Muret e mbetura të kalasë që i takojnë shekullit XVI janë aty për të krijuar sigurinë e makinave, ndërsa ndërhyrjet që janë bërë për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e saj, veçse i ka kapluar vegjetacioni dhe duket sikurse ato nuk janë bërë asnjëherë. Për vizitorët që vinë për të parë këtë kala, eksperienca e tyre përfundon mu aty. Parkojnë makinën, tentojnë të shëtitin përreth, por që kjo është pothuaje e pamundur meqenëse shkallët e improvizuara përbëjnë rrezik. Kur institucionet përkatëse marrin në dorë restaurimin dhe konservimin e tyre, shumë objekte të trashëgimisë kulturore në të shumtën e rasteve dëmtohen ndjeshëm edhe atëherë kur restaurimi i tyre realizohet nën mbikëqyrjen e institucioneve të shtetit. Aktivistë dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore kanë ngritur shqetësimin se edhe atëherë kur shteti vendos të restaurojë asete të trashëgimisë kulturore, prapë se prapë këto asete dëmtohen ndjeshëm, me dëme të parikuperueshme.

Mënyrë tjetër e shkatërrimit të aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë ka qenë edhe përmes atyre që janë cilësuar aksidente. ‘‘Zjarret aksidentale’’ që përgjatë viteve kanë shërbyer si mënyrë për të hequr qafe objektet e mbrojtura me ligj. Dyshimet e gazetarëve, aktivistëve, e institucioneve të drejtësisë janë se pronarët në pamundësi për t’i rrënuar këto objekte, pasi ligji u’a ndalon, kanë zgjedhur zjarret si mënyrë për t’i shkrumbuar ato, dhe mbi to të ndërtojnë objekte të reja, e që kryesisht kanë pasur qëllime komerciale. Shembull konkret është ish-objekti i maternitetit në Ferizaj që kishte pësuar disa raste aksidentale, derisa nga institucionet u dha vendimi që të rrënohej përfundimisht nën arsyetimin se po rrezikohej siguria e njerëzve nga ndërtesa tejmase e dëmtuar.

Nuk mbaron këtu, të rrezikuara janë edhe shtëpitë e vjetra dhe kullat të mbrojtura nën listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, por në pronësi private. Këto asete të trashëgimisë kulturore vazhdojnë të shkatërrohen gati për çdo vit. Mungesa e investimeve nga institucionet shtetërore, si dhe mungesa e rifresktimit apo vazhdimit të listës të kësaj kategorie të mbrojtur, ka shërbyer që pronarët lehtësisht të rrënojnë shtëpi a kulla qindra vjeçare të vjetra.

Shumica e aseteve të trashëgimisë në Kosovë janë të dokumentuara dhe gjenden nëpër listat e institucioneve shtetëtore. Aktivistët për mbrojtjen e aseteve kulturore, pos që akuzojnë institucionet se nuk kanë bërë mjaftueshëm të mbrohen asetet e dokumentuara, ngrisin shqetësimin se ka edhe asete të trashëgimisë kulturore që nuk janë dokementuar dhe nuk janë pjesë e asnjë liste shtetërore, e të tilla asete janë edhe më të rrezikuara nga rrënimi.

Në Ferizaj e Kacanik është evident edhe fenomeni i mos regjistrimit të shumë objekteve që shumë lehtë do mund të përkisnin në listën e aseteve të trashëgimisë kulturore, por që kjo nuk ndodhë si pasojë e asaj që shumë prej pronarëve, kjo për arsye që pronarët privatë e shohin këtë vetëm si pengesë në planet e tyre dhe mungesa e përkrahjes financiare u’a pamundëson atyre shpesh që të ruajnë vlerat arkitektonike e të luajtshme të ndërtimeve.

Vetëm në qendër të Ferizajt janë mbi 20 ndërtesa gati 100 vjeçare të cilat nuk janë të evidentuara nëpër listat shtetërore të trashëgimisë kulturore. Duke parë lehtësinë e rrënimit të aseteve të trashëgimisë kulturore që edhe ishin nëpër kategoritë e mbrojtura, atëherë lehtësisht mund të paramendohet fati i këtyre aseteve. Fat të tillë përgjatë këtyre viteve veçse kanë patur disa shtëpi të cilat i kanë takuar stilit italian të ndërtuara gjatë viteve të 30’ta.

Qyteti i Ferizajt tashmë veçse ka ndërruar fizionominë e dikurshme – për shkak të ndërtimeve me leje e pa leje – dhe vazhdimi i këtij fenomeni veçse do e shpërfytëronte edhe më tej një ndër qytetet më të rinj në Kosovë. Por, as Kacaniku i cili konsiderohet të jetë një nga qytetet më të vjetra, nuk i ka shpëtuar këtij tjetërsimi.

Trashëgimia kulturore paraqet pjesë të rëndësishme të identitetit të një shoqërie. Kujtesa kolektive që ndërtohet për rreth këtyre aseteve është e lidhur ngushtë me identitetin e përgjithshëm shoqëror. Ruajtja e ndërtesave të vjetra është e rëndësishme për shkak se ato janë burime unike të informacionit dhe dokumentave mbi historinë dhe zhvillimin e një vendi. Janë burime të rëndësishme për arsimimin dhe kulturën, duke ofruar një pasqyrë të trashëgimisë dhe identitetit kulturor të një vendi. Në fund të fundit, është detyrë qytetare dhe përgjegjësi e jona që të ruajmë e kultitvojmë kulturën e identitetin tonë, për brezat e ardhshëm. Këto dy komuna meritojnë një përfaqësim të denjë arkitekturor dhe arkeologjik.

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.