Në Ferizaj paskemi edhe shtëpi të vjetra që nuk janë nën mbrojtje

Ecim rreth e përqark qytetit të Ferizaj dhe gjithë ajo që shohim janë ndërtimet e rregullta të viteve 60-80, fasada e të cilave nuk është renovuar ndoshta asnjëherë. Edhe ato ndërtime që dikur kanë qenë eminente për kohën e tyre, tashmë janë në gjendje shumë të keqe, saqe banorët vazhdimisht insistojnë t’i rrënojnë ato e t’i hapin rrugë ndërtimeve të reja. 

Kurse ndërtimet e reja të 24 viteve të fundit nuk të lënë përshtypje estetikisht, pasiqë shumica prej tyre janë ndërtime pa leje, dhe duken që kanë dalë si bari i keq që do duhej crrënjosur. 

Por, ato që nuk shihen e janë margaritarë të rrallë, janë shtëpitë e fillim shek.XX të cilat gjenden skutave të qytetit e rrallë kush di për to, meqenësë janë të rrethuara me ndërtime të larta. Ajo që është më e dukshmja, e që njihet si një nga shtëpitë më të vjetra që ka mbetur është shtëpia e familjes Tafarshiku në afërsi të “Xhamisë së Vogël”, apo sic njihet nga qytetarët “Xhamia e Boshnjakëve”

Zhvillimi i qytetit në aspektin arkitektonik mund të ndahet në katër periudha:

  1. Që nga themelimi deri më 1944
  2. Vitet 1944 – 1960
  3. Vitet 1960 – 1999
  4. 1999 – deri në ditët e sotme

Për periudhën e parë kanë mbetur shumë pak ndërtime, që dëshmojnë për zhvillimin e qytetit, e njëra ndër to është edhe shtëpia e familjes Tafarshiku. Kjo shtëpi është ndërtuar në vitet 1900, ku gjatë viteve të 20’ta ka shërbyer edhe si shkollë – medrese, meqenësë gjendet në afërsi të xhamisë. Në vitet e 50’ta vecse është zhvendosur aty familja Tafarshiku, ku tashmë pronari i saj z.Avni Tafarshiku tregon që përgjatë viteve ka patur edhe ndryshime në planimetrinë e saj. Këto ndryshime janë bërë si pasojë e nevojave që kanë patur banorët dhe është adaptuar sipas tyre.

Sidoqoftë, kjo shtëpi nuk ka humbur karakterin e saj tradicional si dhe elementet kryesore mbeten të njejta, sic janë: struktura/muret, hapjet (dyer dhe dritare) dhe kulmi. Në ndërkohë, ajo që për mua si arkitekte ishte më interesante ishte se si kjo shtëpi është dëshmi e ndryshimeve urbanistike e sociale që kanë ndodhur përgjatë viteve. Shembull të kësaj kemi atë që brenda në njërën nga dhomat ende gjendet ‘hamamxhiku’ ku banorët janë pastruar, meqenësë deri vonë tualetet kanë qenë jashtë. Në vitet e 80’ta kur në këtë zonë është instaluar ujësjellësi dhe kanalizimi, shtëpisë, në anën lindore i është shtuar tualeti/banjo dhe hamamxhiku ka dalur jashtë përdorimit. 

Kjo familje ende ruan gjësendet familjare që datojnë një shekull dhe nuk pranon ta rrënojë atë pavarësisht që rrethohet nga ndërtimet e egra. Ata me shumë dashamirësi na njoftuan për vlerat që ka kjo ndërtesë, por edhe me historikun e familjes dhe të njërës nga shtëpitë më të vjetra të qytetit, e që është në pronësi të njërës nga familjet që janë zhvendosur në fillet e zhvillimit të qytetit të Ferizajt, duke ardhur nga qyteti i Gjakovës.

Fatkeqësisht kjo shtëpi ende nuk gjendet nën mbrojtje, meqenëse vet pronarët hezitojnë ta bëjnë atë. Kjo për arsye që kjo shtëpi hyn nën mbrojtje, por që vet familja nuk ka mundësi ta restaurojë atë apo të bëjë ndonjë ndryshim, kurse institucionet nuk ofrojnë mbështetje financiare për restaurimin e saj. Kështu bllokohen pronarët, pa ofruar zgjidhje!

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.