MUZEUN QË PAK E NJOHIM

Muzeu historik i një qyteti ka një rëndësi të madhe për të, sepse është vendi ku trashëgimia kulturore e një qyteti ruhet dhe ekspozohet. Përmes objekteve të ekspozuara, vizitorët mund të mësojnë mbi historinë dhe kulturën e qytetit. Muzeu ofron një hapësirë që përcjell historinë e kaluar në breza të ardhshëm dhe të ruajë identitetin kulturor të qytetit.

Qyteti i Ferizajt nuk ka patur muze deri më vitin 2011, por që me iniciativën e zyrtarit për trashëgimi kulturore Z.Ilir Bytyqi patën filluar kërkesat zyrtarë fillimisht në komunën e Ferizajt. Ai përmes një fushatë që nisi në qytetin e Ferizajt me rrethinë, arriti që themelojë Muzeun e Ferizajt dhe të mbledhë eksponante nga qytetarët. Ai shpjegon se si Muzeu është pjesë e organogramit të Komunës së Ferizajt që nga ky vit, por që zhvillimi i saj deri më sot ka ecur ngadalë për shkak të statutit jo të qartë dhe pengesave financiare. Kjo për arsye që trashëgimia kulturore nuk është një nga prioritetet, dhe kjo vlen edhe për muzetë e komunave tjera. 

Që nga fillimi lokacioni i muzeut është vendosur të jetë në ndërtesën e Qendrës së Kulturës në Ferizaj, ngjitur me Galerinë e Arteve në Ferizaj. Vizitorët që shkojnë në galeri, kanë mundësi të vizitojnë edhe Muzeun.

Ai tregon se si ka nisur themelimi i saj nga pika zero dhe përveç procedurave zyrtare që është dashur të përfundohen, ai edhe privatisht është përkujdesur t’i vizitojë dashamirët e trashëgimisë kulturore gjithandej në komunën e Ferizajt dhe t’i bindë ata që të dhurojnë eksponantet e tyre me vlerë. Të gjitha eksponantet që gjenden në muze, thotë që janë të dhuruara nga qytetarët. Z. Bytyqi krijoi rrethin e bashkëpunëtorëve të tij, të cilët i ndihmuan të përhapin fjalën se po hapet një muze historik në qytet, ku janë ftuar që gjërat me vlerë historike t’ia dhurojnë muzeut. Ai madje ka hasur rezistëncë e skepticizëm nga ta, meqenëse është dashur t’i bindë që do kenë një vend dinjitoz të ekspozimit dhe përkujdesja nuk do të mungojë në asnjë rast. 

Një rol të madh në atëkohë kanë luajtur edhe mediat, meqenëse i kanë ndihmuar në promovimin, por që bashkëpuntorë kanë patur edhe figura të rëndësishmë historike të qytetit dhe kanë mbajtur takime të shumta me qytetarë. Kështu, nga puna e tij e palodhur, tashmë janë mbi 1000 eksponante që vizitorët mund t’i shohin të ekspozuara në hapësirat e Muzeut. 

Përveç eksponanteve të dhuruara, në vitin 2013 Muzeut të Ferizajt i janë kthyer edhe gjetje arkeologjike që mbaheshin në Muzeun Kombëtar të Kosovës, dhe njëra nga eksponantët është edhe e ashtuquajtura “Hyjnesha e Varoshit”, e cila daton nga periudha e neolitit. Z. Bytyqi këtë cilëson edhe eksponantin më me vlerë që kanë në muze. 

Sa i përket inventarizimit, ata kanë një listë të eksponanteve që kanë tashmë në pronësi, ku janë të dhënat si: masa, gjatësia, emri, vendi i gjetjes, dhuruesi, periudha/viti që i takon. Përveç atyre eksponanteve që gjenden në muze për shkak të pamjaftueshmërisë së hapësirës, disa prej tyre mbeten të pa ekspozura deri sa të krijohen kushtet e duhura. Z. Bytyqi tregon që nuk ka patur tendenca që të rrezikohen ato nga ndonjë vjedhje apo dëmtim deri më tani, meqenëse janë plotësuar kushtet e sigurisë siç janë kamerat, si dhe ka sigurim fizik. 

Numri i vizitorëve është në rritje e sipër dhe nga numri i përafërt në vit duket të jetë 6,000 vizitorë. Muzeu historik ofron një mundësi të shkëlqyer për edukimin dhe mësimin dhe për këtë arsye është punuar shumë për të lidhur bashkëpunim të mirë më shkollat fillore dhe të mesme në Ferizaj, ku është dashur që fillimisht të shkojnë të mbajnë ligjërata për vetdijësimin e gjeneratave të reja mbi historine lokale dhe rëndësinë e muzeut. Nisur nga kjo, kanë filluar të shpeshtohen vizitat e organizuara nga shkollat fillore dhe të mesme, gjë që e gëzon jashtëmase z. Bytyqi.

Foto e huazuar nga Ilir Bytyqi

Muzeu historik është një burim i rëndësishëm për hulumtimin dhe studimin e historisë së një qyteti. Koleksionet e muzeut, dokumentet dhe informacioni i arkivuar ofrojnë burime të vlefshme për studiuesit, historianët dhe shkencëtarët e tjerë. Kjo ndihmon në zhvillimin e njohurive dhe kuptimit më të mirë të historisë së qytetit. Pavarësisht punës së madhe që është bërë nga një zyrtar i vetëm, Muzeu i Ferizajt ka shumë mangësi. Një nga ato është edhe mungesa e stafit, pasiqë një person i vetëm është edhe përgjegjës për muzeun, administrator, ciceron e të gjitha funksionet tjera. Shto kësaj edhe investimin e vogël që është bërë sa i përket pajisjes së muzeut me vendosjen e raftave dhe kurimit të hapësirës, gjë që mund të shkaktojë edhe konfuzion të vetë vizitorët.

Kur pyetëm të rinjtë e moshave 20 vjeç e më shumë në Ferizaj, shumica e tyre nuk dinë as për vendndodhjen e Muzeut. Në anën tjetër, zyrtari i muzeut tregon se si të rinjtë e moshave më të hershme se 18 vjeç ka raste kur kthehen disa herë për të vizituar muzeun. Pavarësisht asaj që ka shumë prej qytetarëve që nuk dinë për ekzistencën e një muzeu në qytet, shpresa jonë mbetet në edukimin e gjeneratave më të reja, në mënyrë që në vitet e ardhshme të angazhohemi edhe më shumë në rritjen e audiencës dhe edukimin e tyre.

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.