ÇKA PO NDODHË ME KALANË E KAÇANIKUT?!

Kalaja e Kaçanikut, një monument kulturor-historik, ndërtuar në vitin 1595 nën urdhërin e Sulltan Murtatit II, realizuar nga Koxha Sinan Pasha në qendër të qytetit mes dy lumenjve Lepenci dhe Nerodimja. Nga planimetria e kësaj kalaje sot kanë mbetur dy muret me lartësi deri në 6m (perëndim-veri), me portë hyrëse dhe kullën rrethore e cila ndodhet në lindje, në anën e djathtë të portës, ndërtuar nga gurë të lidhura nga llaqi gëlqeror, por edhe teknika me tulla e cila më shumë është përdorur si dekorim. Trashësia e mureve të kalasë sillet nga 1.5-2m. Të gjitha objektet e banimit që kjo kala kishte brenda saj, sot fatkeqësisht nuk ka asnjë gjurmë. 

Në mes të kalasë gjendet motel “Kalaja” me veprimtari në të kaluarën ndërsa  sot jo. Ka vite që ka mbetur në kontekst gjyqësor duke pamundësuar ndryshimin apo krijimin e ndonjë muzeu brenda saj. 

Përmes projektit Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHëB) dhe Komunës së Kaçanikut, në vitin 2015 është bërë konsolidimi i strukturës së murit veriperëndimor të kalasë dhe mbushja me gurë e pjesëve të murit. Që nga ajo periudhë nuk ka pasur më ndonjë ndërhyrje apo hap konkret për të ndryshuar hapësirën brenda këtij monumenti identifikues të qytetit

Veçmas motelit, hapësira tjetër brenda kalasë vazhdon të shfrytëzohet si parking për vetura, duke i pamundësuar turistëve që të shijonë hapësirën e mbetur, e që shpesh është e mbushur me mbeturina. Për të parë pjesën e sipërme të kalasë dhe kullën duhet të kalosh mbi disa shkallë të shkatërruara të cilat jo vetëm që nuk të dërgojnë në destinacion por edhe mund të shkaktojnë dëmtime fizike duke tentuar të ecësh mbi to. 

Nuk pastrohet, shpesh është me vegjetacion të lartë. Në të shumtën e rasteve hapësira brenda kalasë kundërmon rëndë për shkak të përdorimit të saj edhe për nevoja fiziologjike në mungesë të banjove publike. 

Kalaja disa herë ka shërbyer si hapësirë për festivale dhe aktivitete të ndryshme të cilat gjithmonë janë mirëpritur nga komuniteti. Duhet të ishte e rrugës që çështja e motelit të merret më seriozisht nga komuna për të gjetur një zgjidhje adekuate që nuk rrezikon këtë monument të rëndësishëm. Kalaja duhet të ketë mirëmbajtje të vazhdueshme, të mos shfrytëzohet për nevoja personale, dhe të shikohet edhe në aspektin arkeologjik me anë të teknologjisë moderne për të parë më thellë planimetrinë e saj. 

Disa hapat konkretë të cilat do të nxirrnin kalanë e Kaçanikut nga kolapsi i krijuar janë:

  • Çështja e motel “Kalaja” të jetë gjithmonë çështje primare, të negociohet që të mos ekzistojë më pavarësisht se ka shërbyer si strehim për udhëpërshkrues të ndryshëm në periudha të mëhershme. 
  • Përdorimi i metodave jo-intrusive në të, imazhe satelitore, skanime 3D, LiDAR, fotografime ajrore, etj. Të gjitha këto shërbejnë për të krijuar një imazh të thellë të kalasë.
  • Brenda hapësirës së kalasë të realizohen gërmime arkeologjike për të parë nëse ekziston ndonjë shtresë arkeologjike e periudhave më të hershme kulturore. 
  • Hapësira brenda kalasë të përdoret për ekspozita të ndryshme, programe edukative, performanca teatrale, interpretime artistike-kulturore etj.
  • Të angazhohet një ciceron i cili shpjegon dhe mirpret turistat, duke i treguar historinë e kalasë, por edhe të qytezës. 
  • Të realizohet një guidë arkeologjike për të piketuar të gjitha lokalitetet e mundshme arkeologjike, brenda qytetit dhe në rrethinë. 
  • Të krijohet një aplikacion online për të njoftuar qytetarët për të gjitha aktivtetet e mundshme që do të realizohen brenda kalasë. Pse jo që aplikacioni të ketë një pamje virtuale për njerëzit që janë në diasporë.
  •  Për shkaqe mirmbajtje dhe sigurie të kontraktohet një person i cili ruan kalanë nga vandalizimet të cilat gjithmonë janë të pranishme sidomos në këto lokalitete.
  • Meqënëse hapësira brenda kalasë është e madhe, një pjesë e vogël mund të shfrytëzohet nga qytetarët për një mini-treg në tezga ku mund të shesin artizanale tradicionale.
  • Një herë në vit të realizohen panaire të ndryshme qoftë libri apo edhe me ushqime tradicionale. 
  • Të realizohet “nata e filmit“, me anë të një projektori për rininë. 
  • Një vitrinë e vogël brenda kalasë të ketë libra për trashëgiminë kulturore (arkitekturore, etnologjike, dhe arkeologjike).
  • Hyrja për në kala të jetë me një çmim të volitshëm dhe e kategorizuar e cila do të përdoret për mirmbajtje të kalasë.

Këto janë vetëm disa nga pikat të cilat do të ndikonin në të mirë të komunës së Kaçanikut, sidomos në aspektin ekonomik, dhe në zhvillimin e turizmit. Komuna e Kaçanikut duhet të bashkpunojë me institucione përkatëse lokale por edhe ndërkombëtare në mënyrë që të ndryshojë gjendja kaotike në të cilën kjo kala është vendosur. 

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.