E dija nga bisedat e shumta qe prapa Stacionit të Autobusëve në Ferizaj ka shtëpi të vjetra, prandaj fillova të trokas në dyert e secilit për informacione. Shumica prej tyre refuzuan të bisedojnë, meqenëse ishin të zënë me punë të përditshme dhe nuk gjenin kohë të më përgjigjeshin. Dikur u lodha duke tentuar t’i bind për t’i intervistuar dhe vendosa që kjo do të jetë shtëpia e fundit që hyj. U prezantova dhe fillova fjalimin tim qe isha duke e përsëritur që sa herë, se si jam këtu që të mbledh informacione për shtëpitë e vjetra të kësaj lagje dhe të shkruaj rreth tyre.
Pyetja e parë që pati pronari ndaj meje ishte: “Cka ke me shkru që jam?”. – Unë i drejtohem: “Cka jeni ju?”- Ai me plot krenari më thotë: “Egjiptas!”. – Unë thjesht përgjigjem: “Atëherë do e shkruaj që kjo është shtëpia e një familje egjiptase”. Dhe kështu fillon komunikimi me respekt të ndërsjelltë.
Nga takimi me Z. Ibraimi nuk mora shumë informacion të prekshëm mbi ndërtimet në atë pjesë, pasiqë shtëpia e vjetër në të cilën ai është rritur, nuk është më. Kjo duke qenë që jo vetëm familja e tij, por edhe shumë të tjera nuk arritën dot të ndërtonin shtëpi me struktura të qëndrushme, për shkak që kanë jetuar në varfëri. Por gjyshërit e tij kur janë zhvendosur fillimisht në qytetin e Ferizajt, atëkohë sa ishte ende në fillet e saj, materialet ndërtimore ishin të kushtueshme dhe ndërtuan shtëpinë e tyre me thupra druri. Ata punonin si rrabaxhinjë dhe vite më vonë filluan të merren edhe me zdrukthtari. Kur industrializmi mori hov në Ferizaj, burrat e familjës Ibraimi u sistemuan në fabrika ku ushtronin zeje të ndryshme, një nga të cilat edhe zdrukthtaria. Nënvetdije, nga mishërimi me varfërinë dhe duke qenë të rrethuar me dru qysh para tri gjeneratave, kjo familje vazhdon ta ushtrojë këtë zeje, qoftë edhe për hobi.
Gjithë ajo që njohim për trashëgimi arkitektonike janë ndërtimet nga familje të pasura që kanë patur mundësi të ndërtojnë struktura që do i rezistonin kohës. Madje edhe historinë e bëjnë po këto mbetje arkitektonike, e që gjeneratave të ardhshme i lënë pas shpesh herë edhe përshtypjen që kësisoj ka jetuar popullsia në periudha të caktuara. Por, a duhet edhe ne të adhurojmë arkitekturën e vjetër që i rezistoi kohës vetëm pse është ndërtuar nga ndonjë familje elitare? Edhe arkitektura që është punuar nga familje të varfëra apo mesatare, jep shumë informacione mbi gjenden sociale e kulturore të kohës, por që nuk i reziston dot faktorëve të jashtëm. Kjo nuk do të thotë që nuk kanë ekzistuar. Po ne që i përkasim shtresës së mesme, a do fshihemi nga historia vec pse nuk arrijmë të ndërtojmë shtëpi glamuroze e t’i mirëmbajmë ato më shekuj?
Në pjesën ku gjendet shtëpia e familjes Ibraimi janë 4 shtëpi të cilat janë diku 80-100 vjecare, të gjitha të fasaduara me gëlqere. Në anën tjetër të rrugës ka qenë edhe fabrika e gëlqeres ku shumica prej tyre kanë punuar si punëtorë të thjeshtë. Më pas me të njejtin material kanë ngjyrosur edhe shtëpitë e tyre, ku mund të shihet edhe sot. Ndonëse nuk ka të dokumentuar asgjë as për këtë fabrikë, banorët tregojnë se si ka qëne fabrikë e madhe që ka patur shumë të punësuar. Si dëshmi mbetet vetëm fasada në këto shtëpitë përreth.
Prandaj, ky artikull i kushtohet banorëve ferizaj të cilët gjithsecili ka dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e qytetit, emrat e të cilëve janë të panjohur e që përbëjnë shumicën e popullsisë
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Projekti “Bashkimi i qytetit” i cili ka patur për qëllim që kinse të bashkojë një qytet të ndarë nga shinat e trenit, në vazhdimësi është përballur më probleme të ndryshme dhe rezistencë nga profesionistët. Por një pike tjetër ka mbetur e patrajtuar: konkurenca që i bën ndërtimeve kryesore në qytet të cilat janë nën mbrojtje të përhershme, duke përfshirë:
Stacionin e Trenit dhe
Bibliotekën e qytetit.
Ky projekt është një nga projektet më madhore dhe më të kushtueshme nga Komuna e Ferizajt, ku nga qeveritarët lokalë është quajtur edhe “mrekulli infrastrukturore” dhe krahasojnë ato më projekte madhore të ngashmë që kanë parë në shtetin e Zvicërrës. Ka mundësi që qeveritarët vetëm të kenë shfrytëzuar rrugët e Zvicrrës për tranzit dhe nuk kanë marrur mundin që të ndalen e vizitojnë hapësirat publike aq mirë të punuara e mirëmbajtura, apo edhe ndërtesat historike të cilat i ruajnë më aq përkushtim.
Mbrojtja e ndërtesave historike nga zhvillimet e reja urbanistike është një sfidë e rëndësishme për të ruajtur trashëgiminë arkitekturore dhe kulturale të një vendi. Ka disa praktika të mira që mund të zbatohen për të mbrojtur ndërtesat historike. Këtu janë disa prej tyre:
Një mënyrë efektive për të mbrojtur ndërtesat historike është të krijojnë ligje dhe rregullore të veçanta që i kushtojnë kujdes të veçantë ruajtjes së tyre. Këto ligje duhet të përfshijnë leje të veçanta të ndërtimit për projekte në zonat e mbrojtura, rregulla për mirëmbajtjen dhe restaurimin e ndërtesave historike, si dhe sanksione për shkelësit.
Identifikimi i zonave të veçanta të mbrojtura është një praktikë e zakonshme për ruajtjen e ndërtesave historike. Këto zona duhet të përcaktohen sipas kritereve të historisë, arkitekturës dhe vlerës kulturore të ndërtesave. Ndërtimet dhe ndryshimet e reja duhet të nënshtrohen kontrollit të rreptë për të siguruar që ata të respektojnë integritetin historik të zonës.
Restaurimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave historike janë pjesë thelbësore të mbrojtjes së tyre. Ky proces duhet të bëhet me kujdes dhe në përputhje me metodat tradicionale të ndërtimit dhe materialet autentike. Restauratorët dhe arkitektët duhet të kenë njohuri të thella për stilin dhe teknikat e ndërtimit të periudhës së ndërtesës për të ruajtur integritetin historik.
Informimi dhe edukimi i publikut janë thelbësore për të ndërgjegjësuar njerëzit rreth rëndësisë së ruajtjes së ndërtesave historike. Organizimi i ekspozitave, vizitave të guiduara dhe fushatave të ndërgjegjësimit mund të ndihmojnë në rritjen e vetëdijes dhe angazhimit të komunitetit në mbrojtjen e ndërtesave historike.
Sa i përket pikës 1, kur është bërë planifikimi i projektit të sipër-përmendur, nuk janë marrur fare parasysh konkurenca estetike qe i bëhet ndërtesave historike, duke qenë që këto ndërtime janë në listën e mbrojtjes së përhershme dhe në perimeter prej 50m nuk lejohet – edhe pse kemi ligje në fuqi që e garantojnë një gjë të tillë.
Sipas Planit Zhvillimor Komunal Objektivat 2017-2025 për fushën e trashëgimisë kulturore listohen si më poshtë:
5.1. Identifikimi, incizimi, përkufizimi, mbrojtja dhe zhvillimi i lokaliteteve arkeologjike ishte pjesë edhe e planit të ma hershëm por përkufizimi adekuat dhe trajtimi më cilësor vazhdon të mbetet sfidë e madhe e trashëgimisë sidomos kur merret parasysh historiku i Ferizajt dhe potencialet e kësaj fushe;
5.2. Krijimi i masave të qëndrueshme për mbrojtjen, konservimin dhe rivitalizimin e strukturave dhe hapësirave të trashëgimisë kulturore historike, natyrore dhe historike;
5.3. Ri-përkufizimi i identitetit të komunës së Ferizajt duke zhvilluar projektin e Bifurkacionit të Neredimës dhe fuqizimi i Vizionit të komunës për këtë mrekulli të rrallë natyrore;
5.4. Kompletimi me infrastrukturë në strukturat dhe hapësirat arkeologjike, kulturo – historike duke marrë parasysh shfrytëzimin e këtyre vlerave dhe mbrojtjen e tyre për brezat e ardhshëm është prapë një sfidë;
5.5. Rritja e vetëdijes mbi vlerat e trashësisë kulturore, historike dhe natyrore; dhe
5.6. Gjenerimi i mjeteve nga vlerat e trashëgimisë është sfidë e cila duhet trajtohet dhe planifikohet në detaje në të ardhmen në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor dhe komplementare edhe me turizmin rural.
Në ndërkohë asnjëri nga këto objektiva nuk janë arritur, kurse PZHK skadon brenda dy viteve. Por ajo që shohim ne në vazhdimësi është shtimi i ndërtimeve të larta, ku përhumben asetet e trashëgimisë kulturore. Kurse kjo i kontribuon për më shumë shkatërrimit të aseteve të cilat nuk janë futur asnjëherë nën mbrojtje.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Kalaja e Kaçanikut, një monument kulturor-historik, ndërtuar në vitin 1595 nën urdhërin e Sulltan Murtatit II, realizuar nga Koxha Sinan Pasha në qendër të qytetit mes dy lumenjve Lepenci dhe Nerodimja. Nga planimetria e kësaj kalaje sot kanë mbetur dy muret me lartësi deri në 6m (perëndim-veri), me portë hyrëse dhe kullën rrethore e cila ndodhet në lindje, në anën e djathtë të portës, ndërtuar nga gurë të lidhura nga llaqi gëlqeror, por edhe teknika me tulla e cila më shumë është përdorur si dekorim. Trashësia e mureve të kalasë sillet nga 1.5-2m. Të gjitha objektet e banimit që kjo kala kishte brenda saj, sot fatkeqësisht nuk ka asnjë gjurmë.
Në mes të kalasë gjendet motel “Kalaja” me veprimtari në të kaluarën ndërsa sot jo. Ka vite që ka mbetur në kontekst gjyqësor duke pamundësuar ndryshimin apo krijimin e ndonjë muzeu brenda saj.
Përmes projektit Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHëB) dhe Komunës së Kaçanikut, në vitin 2015 është bërë konsolidimi i strukturës së murit veriperëndimor të kalasë dhe mbushja me gurë e pjesëve të murit. Që nga ajo periudhë nuk ka pasur më ndonjë ndërhyrje apo hap konkret për të ndryshuar hapësirën brenda këtij monumenti identifikues të qytetit
Veçmas motelit, hapësira tjetër brenda kalasë vazhdon të shfrytëzohet si parking për vetura, duke i pamundësuar turistëve që të shijonë hapësirën e mbetur, e që shpesh është e mbushur me mbeturina. Për të parë pjesën e sipërme të kalasë dhe kullën duhet të kalosh mbi disa shkallë të shkatërruara të cilat jo vetëm që nuk të dërgojnë në destinacion por edhe mund të shkaktojnë dëmtime fizike duke tentuar të ecësh mbi to.
Nuk pastrohet, shpesh është me vegjetacion të lartë. Në të shumtën e rasteve hapësira brenda kalasë kundërmon rëndë për shkak të përdorimit të saj edhe për nevoja fiziologjike në mungesë të banjove publike.
Kalaja disa herë ka shërbyer si hapësirë për festivale dhe aktivitete të ndryshme të cilat gjithmonë janë mirëpritur nga komuniteti. Duhet të ishte e rrugës që çështja e motelit të merret më seriozisht nga komuna për të gjetur një zgjidhje adekuate që nuk rrezikon këtë monument të rëndësishëm. Kalaja duhet të ketë mirëmbajtje të vazhdueshme, të mos shfrytëzohet për nevoja personale, dhe të shikohet edhe në aspektin arkeologjik me anë të teknologjisë moderne për të parë më thellë planimetrinë e saj.
Disa hapat konkretë të cilat do të nxirrnin kalanë e Kaçanikut nga kolapsi i krijuar janë:
Çështja e motel “Kalaja” të jetë gjithmonë çështje primare, të negociohet që të mos ekzistojë më pavarësisht se ka shërbyer si strehim për udhëpërshkrues të ndryshëm në periudha të mëhershme.
Përdorimi i metodave jo-intrusive në të, imazhe satelitore, skanime 3D, LiDAR, fotografime ajrore, etj. Të gjitha këto shërbejnë për të krijuar një imazh të thellë të kalasë.
Brenda hapësirës së kalasë të realizohen gërmime arkeologjike për të parë nëse ekziston ndonjë shtresë arkeologjike e periudhave më të hershme kulturore.
Hapësira brenda kalasë të përdoret për ekspozita të ndryshme, programe edukative, performanca teatrale, interpretime artistike-kulturore etj.
Të angazhohet një ciceron i cili shpjegon dhe mirpret turistat, duke i treguar historinë e kalasë, por edhe të qytezës.
Të realizohet një guidë arkeologjike për të piketuar të gjitha lokalitetet e mundshme arkeologjike, brenda qytetit dhe në rrethinë.
Të krijohet një aplikacion online për të njoftuar qytetarët për të gjitha aktivtetet e mundshme që do të realizohen brenda kalasë. Pse jo që aplikacioni të ketë një pamje virtuale për njerëzit që janë në diasporë.
Për shkaqe mirmbajtje dhe sigurie të kontraktohet një person i cili ruan kalanë nga vandalizimet të cilat gjithmonë janë të pranishme sidomos në këto lokalitete.
Meqënëse hapësira brenda kalasë është e madhe, një pjesë e vogël mund të shfrytëzohet nga qytetarët për një mini-treg në tezga ku mund të shesin artizanale tradicionale.
Një herë në vit të realizohen panaire të ndryshme qoftë libri apo edhe me ushqime tradicionale.
Të realizohet “nata e filmit“, me anë të një projektori për rininë.
Një vitrinë e vogël brenda kalasë të ketë libra për trashëgiminë kulturore (arkitekturore, etnologjike, dhe arkeologjike).
Hyrja për në kala të jetë me një çmim të volitshëm dhe e kategorizuar e cila do të përdoret për mirmbajtje të kalasë.
Këto janë vetëm disa nga pikat të cilat do të ndikonin në të mirë të komunës së Kaçanikut, sidomos në aspektin ekonomik, dhe në zhvillimin e turizmit. Komuna e Kaçanikut duhet të bashkpunojë me institucione përkatëse lokale por edhe ndërkombëtare në mënyrë që të ndryshojë gjendja kaotike në të cilën kjo kala është vendosur.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Ndonëse në Ferizaj ajo cka e karakterizon qytetin më së shumti është Kisha Ortodokse dhe Xhamia që për shumicën e audiencës njihet së janë në të njejtin oborr, e vërteta nuk qëndron kështu pasiqë kishën dhe xhaminë e ndanë një linjë murit. Në vitin 2018 prifti dhe hoxha kanë shprehur si shqetësim që të shkatërrohet kjo linjë e murit duket që nga atëherë dhe sot nuk është përfillur nga organet kompetente. Ata të dy janë të shoqërueshëm ndërmjet vetë, kanë raporte të mira dhe i mirepresin të gjithë dhe sipas tyre politika nuk ka rëndësi. Kjo është ajo që ne si publik njohim, por sa është kjo e vërtetë?!
Ka raste të ndryshme nga kolegët por edhe nga njerëzit që kam në rreth që shprehin indinjatën e tyre që monumentet kulturore fetare ortodokse, e që kontrollohen nga serbët në Kosovë, nuk lejohen të vizitohen nga shqiptarët!
Unë personalisht si studiuese e trashëgimisë kulturore, përkatësisht arkeologjisë kam bërë disa vizita që më janë mundësuar ndër vite:
Manastiri i Deçanit, 2015 – në vitin e parë në fakultet ndërmjet Ambasadës së Amerikës në Kosovë dhe një nga ojq-të është mundësuar një shëtitje ditore për studentet e TK-së dhe fushave të ndryshme po ashtu me disa student të huaj që të vizitohet Manastiri i Deçanit, ajo cka kam parë tek hyrja më ka lënë përshtypjen sikur po kaloj ndonjë kufi apo po vizitoj një kazermë ushtrie dhe jo një monument kulturor. Përrreth rrugës e deri tek hyrja kishte ushtarë të armatosur, ndërsa ne studentët shqiptarë nguronin të flisnim gjuhën tone në territorin e shtetit tonë.
Manastiri i Graçanicës, 2016 – në vitin e dytë në fakultet në kuadër të punës praktike në terren u mundësua një shëtitje në lokalitet arkeologjike dhe monumente të ndryshme kulturore. Prape shëtitja ka qenë organizim me studentë të huaj, dhe per ne ishte fat të ishim pjesë e këtyre vizitave, ngaqë si student nuk do te kishim shumë mundësi dhe guxim t’i vizitonim këto monumente.
Prizren, 2017 – në vizitat tek kishat ortodokse në Prizren nuk i gjetëm dyert e hapura tek Kisha e Shën Premtes, por tek Katedralja e Shën Gjergjit të paktën në oborr ishte roja. Ai nuk na lejonte të futeshim brenda dhe u çudit nga fakti që ne si student shqiptarë dëshirojmë ta vizitojme atë. Prerazi tha që nuk lejohet, por insitonim dhe diskutonim shumë që të na lejonte. Arritëm ta bindim por na kërkoi që të hymë me rradhë dhe të kemi kujdes që të mos na shohë askush e mos qëndroni më shumë se 5 minuta. Ashtu edhe vepruam! Në anën tjetër Kisha e Shën Spasit – në shumicën e rasteve ka dyert e mbyllura, por patëm fatin të vizitojmë.
Ferizaj, 2022 – Kisha Ortodokse “Shën Uroshi” , së fundmi pata rastin ta vizitoj gjatë punëtorisë me ojq THANA, ku të pranishëm ishim 14 studentë, dhe si pjesë e aktivitetit ku vizituam monumentet kulturore në qytet u ndalëm edhe te Kisha Ortodokse. Përsëri dyert e mbyllura! Doli roja të na njoftojë që ndalohet te vizitohet duke mos qene i pranishem prifti. Meqenësë kjo ishtë vite më vonë se vizitat e lartëpërmendura , të gjithë u shokuam dhe insistonim që të na lejonte të hymë brenda. Bashkëmentori i aktivitetit njeh mirë ligjet në fuqi dhe filloi të argumentojë ndaj rojes që është e drejta jonë që të mund të vizitojmë monumentet. Sic duket roja është mjaftueshëm i vetdijshëm për këtë gjë, prandaj kompromisi ishte që ne të hymë të vizitojmë kishën por që na u konfiskuan telefonat dhe Letërnjoftimet.
I kthehemi sërisht pjesës së parë ku, meqenëse unë tash jam derisa shkruaj këtu kam hamendje se si qendron e verteta?! Nga vizita që kishim në tetor të 2022 u binda që fjala “tolerancë fetare’ ka mbetur vetem një proverb për qytetin e Ferizajt.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Sheshet/bulevardet gjithëmonë kanë patur rol të rëndësishëm në jetën sociale dhe kulturore të një qyteti. Aty janë zhvilluar takime të ndryshme, është zhvilluar tregti e kanë marrur vend shumë ngjarje të ndryshme historike. Sheshi në Ferizaj ka patur po të njejtën rëndësi.
Gjendja aktuale e ndërtimeve përgjatë sheshit në Ferizaj, aty ku gjendet tash Hotel Lybeteni në drejtim të veriut deri te lokacioni ku janë Xhamia dhe Kisha Ortodokse, është shumë e lënë pas dore. Në këtë aks kemi ndërtime të periudhave të ndryshme, por që dominojnë ato të periudhës moderniste.
Figure 1 Trajtimi i ndërtesave përgjatë aksit të sheshit në Ferizaj
Figure 2 Vendndodhja e ndërtesave si shembull
Biblioteka e qytetit “Sadik Tafarshiku” – është ndërtuar më 1908 dhe është ndërtesa më e vjetër publike në Ferizaj.Kjo ndërtesë i takon periudhës së parë të ndërtimit në Ferizah. Në të kaluarën kishte shërbyer si saraj për udhëheqësin Osman në Ferizaj, por ëshë shfrytëzuar edhe si burg dhe ndërtesë administrative për qytetin e Ferizajt. Funksioni I tanishëm është Bibliotekë.
Kjo ndërtesë i takon stilit austro-hungarez por që në vete ka edhe elemente otomane. Pamja e saj e jashtme është ruajtur, por organizimi I brendshëm ka pësuar ndryshime varësisht prej funksioneve që ka marrur përgjatë viteve. Ka patur bodrum, I cili tashmë nuk ekziston, pasiqë është mbushur me dhe. Përvec hyrjes kryesore në anën perëndimore që ekziston ende, kjo ndërtesë ka patur edhe dy hyrje tjera. Njëra ka qenë në anën jugore e cila ka shërbyer për hyrje në bodrum, kurse tjetra ka qenë prapa ndërtesës, nga hekurudha, pra ana lindore e cila poashtu është mbyllur.
Biblioteka në librin Ferizaj dhe rrethina përshkruhet si në vazhdim:
Një objekt publik I rëndësishëm I administratës turke është ndëtesa e vjetër e Administratës komunale. Objekti përbëhet nga kati përdhësë me një kat dhe gjendet në qendër të qytetit i rrethuar me gjelbërim. Ky object është I stilit klasik. Godina është ndërtuar prej tullave (nga Selaniku). Muret janë konstruktive (60-80 cm), pasi ndërkati është punuar në qemer.
Figure 3 Biblioteka e qytetit, fotografuarnga ana jug-perëndimore, 1925
Figure 4 Biblioteka e qytetit, fotografuar nga ana jug-lindore, 1963
Figure 5 Vendndodhja e Bibkiotekës së qytetit
Ndërtesa Krosa (*Ky nuk është emri me të cilin njihet ndërtesa, por që tani është në posedim të pronarit me të njejtin mbiemër)
Figure 6 Ndërtesa Krosa, Ferizaj, 2020
Kjo është ndërtesa më e vjetër përgajtë sheshit, e cila është ndërtuar gjatë viteve 30-ta. Gjendet ngjtur me fasadën veriore të Hotel Lybetenit. Ka katër etazhe të cilat janë shfrytëzuar, duke përfshirë këtu edhe ajo që tash shfrytëzohet si nënkulm. Ndërtesa është gjatësore dhe në anët jugore dhe veriore gjithmonë ka patur ngjitur ndërtesa dhe rrjedhimisht hapje ka vetëm në anën lindore dhe perëndimore. Kati përdhesë qysh nga fillimi është shfrytëzuar për afarizëm, kati i parë, i dytë dhe i tretë janë shfrytëzuar për banim, si dhe nënkulmi si depo. Hyrja për banim është në anën lindore, kurse në pjesën perëndimore është pjësa ballore e ndërtesës ku edhe ka karakeristikat e saj dalluese. Në pjesën ballore shihen thyerja përmes këndeve dhe ballkonet janë të hapura me grila të dekoruar të cilat ende mbesin nga koha e ndërtimit. Dritaret origjinale kanë qenë të drurit në anën ballore, kurse me alumin në fasadën prapa.
Në vitin 2015, kjo ndërtesë ishte në rrezik për tu rrënuar pasiqë ia futën flakën. Kjo është një praktikë e njohur në rast se pronarët duan të rrënojnë ndërtesa me vlera historike, por që nuk lejohen. Me rastin e djegjes ka pësuar më së shumti kati i sipërm. Deri atëherë kati ka qenë i plotë, kurse pas intervenimeve të mëvonshme tani është një nënkulm dhe shfrytëzohet si depo.
Figure 7 Vendndodhja e Ndërtesës Krosa, Ferizaj
Banesa e oficerëve
Kjo është një nga ndërtesat më të hershme të banimit kolektiv në qytetin e Ferizajt. I takon viteve të 50’ta dhe ka qenë ndërtesa ku janë akomoduar ushtarët, dhe e quajnë si Banesa e Oficerëve. Ky ndërtim i paraprin ndërtimeve tjera modernizmit.
Figure 8 Në anën e majtë shihet Banesa e Oficerëve, Ferizaj, 1960
Ndërtesa ka tri etazhe, P+2 ku përdhesa është shfrytëzuar dhe vazhdon të shfrytëzohet për afarizëm, kurse dy katët e sipërme për banim. Ndërtesa është në formë L-je dhe ka vazhduar aksin gjatësor të ndërtimeve në një linjë përgjatë sheshit, e që janë të puthitura me njëra-tjetrën, ndonësë janë 3 ndërtesa të periudhave të ndryshme.
Sot, kjo ndërtesa nuk ka pësuar shumë ndryshime në fasadën e katëve të siperme, përvec ndryshimeve që janë bërë në përdhesë ku zhvillohen veprimtari të ndryshme ekonomike.
Figure 9 Vendndodhja e Banesës së Oficerëve
Hotel Lybeteni
Ndërtesa e Hotel “Lybeteni” është një nga ndërtesat më kryesore të qytetit, jo për shkak të funksionit të saj, por sepse është një nga pikat kryesore identitare të Ferizajt. Deri para 20 viteve, kur ende ka patur harqet e betonit në fasadën jugore, kapte vëmendjen për shkak të arkitekturës më të vecantë që prezantonte në qytet si dhe domosdo edhe për shkak të muralit të Kamarierit të punuar në fasadën jugore. Kjo ndërtesë edhe ilustron se si ndërhyrjet pa plan mund të afektojnë një ndërtesë dhe të humbin ngadalë karakterin e ndërtesës.
Figure 10 Kartolinë, Ferizaj, 1967
Hotel Lybeteni u projektua nga D.Sugarcev, I.Sabic dhe M.Damjanovic gjatë fillimit të viteve 60’ta për tu funksionalizuar po atëherë.
Arkitektura i takon stilit modern të fazës së parë edhe pse i ndërtuar në pjesën e dytë të shek.XX. Objekti përbëhet prej përdhesës dhe tre etazheve. Përdhesa shfrytëzohej si restorant, kati i parë shfrytëzohej për shërbime administrative, ndërsa kati i dytë dhe i tretë shfrytëzohej si hotel. Struktura e hotelit është e formuar nga elemente modulare që përsëriten, të cilat shfaqen edhe në fasadë dhe reprezentojnë zona me funksione specifike. Muret e përdhesës janë të tërhequra brenda, kurse në skajet e jashtme vërehen shtyllat si struktura mbajtëse të vecuara, të njohura si pilotis. Elemente karakteristike për këtë object janë brisoletë si strukturë e përhershme për mbrojtje nga dielli, të cilat përvec funksionit mbrojtës krijojnë dinamikë në fasadën e objektit me anë të lojës hije-dritë.
Kjo ndërtesë ka pësuar ndryshime të shumta përgjatë viteve, por më së shumti pas viteve 2000’ta ku për një periudhë të gjatë ka mbetur pa funksionin pjesa e hotelit. Kurse pjesa e integruar në anën lindore ka shërbyer për veprimtarinë e biznesevë. Investitorët e shumtë që kanë “investuar” në këtë objekt, realisht kanë shkatërruar karakteristikat e harqeve, e kjo ka përfunduar në vitin 2005, sic shihet në foton e mëposhtme.
Figure 11 Foto nga Agron Sylemani, Ferizaj, 2005
Si pikë strategjike në qytet, ky hotel gjendet në afërsi të Stacionit të Trenit, e cila mbetet ndërtesa më e vjetër në qytet. Para planit që Ferizaj të shndërrohej në një qytet modernist gjatë viteve të 60’ta, po në këtë vend ka qenë një pjesë e qarshisë së qytetit. Ne vend të Hotel Lybetenit ka qenë Shtëpia e Teodorit, objekt ky që i përkistë stilit austro-hungarez dhe i takonte një nga familjeve të para të qytetit, të cilët ishin cincarë. Kjo ndërtesë ishte edhe atëherë pikë referente e qytetit dhe kjo mund të jetë arsyeja që Hotel Lybeteni është
ndërtuar aty ku gjindet sot.
Figure 12 Kulla e Teodorit, vitet 50’ta
Figure 13 Vendndodhja e Hotel Lybeteni, Ferizaj
Ndërtesa e Bankos
Ndërtesa u projektua në vitin 1979 nga arkitektët M.Visnjic dhe S. Odovic për tu funksionalizuar në vitet e 80’ta. Funksioni i ndërtesës në atë kohë ka qenë si bankë, që është quajtur edhe Bankos.
Figure 14 Fasada ballore e Bankos, 2020
Gjendet përballë Hotel Lybetenit në hyrje të bulevardit të qytetit. Të gjitha elementet e ndërtesës janë forma drejtkëndore. Përdhesa është e tërhequr brenda, kurse mbështjellësi është i veshur me pllaka.
Sikurse edhe ndërtesat tjera, edhe Bankos ka pësuar ndryshime, por që fatmirësisht vërehën vetëm në katin përdhesë ku janë bërë ndarje të reja të kthinave si dhe janë bërë ndërhyrje në fasadë me ndërrimin e dritareve. Ndërhyrje tjetër me rëndësi është dhe mbyllja e bodrumit e cila ka patur një hyrje në anën jugore, dhe kthinat poshtë përvecse kanë shërbyer si dhoma teknike, përmes hyrjes nga jashtë ka patur qasje për një kthinë që është shfrytëzuar për gastronomi.
Para se të ndërtohej ndërtesa administrative Bankos në këtë lokacion, aty ishte Hotel Kosovska. Edhe kjo ndërtesë i përkiste stilit austro-hungarez dhe kishte rëndësi të vecantë në jetën shoqërore atëkohë, pasi pjesa përdhesë e saj shërbente për gastronomi. Kjo ndërtesë ishte ndërtuar në vitet e 20’ta dhe ishte aty deri në vitet e 80’ta kur u rrëzuar për t’i haour rrugë Bankosit.
Figure 15 Ndërtesa në të majtë është Hotel Kosovsa, vitet e 50’ta
Figure 16 Vendndodhja e Bankos, Ferizaj
Në qytetin e Ferizajt dominojnë ndërtimet moderniste në qendër, ndonëse jo në numër por arkitektura e tyre monumentale dhe pozicioni i tyre i bën dukshëm të dallohën. Gjatë 20 viteve të fundit janë shkatërruar e rrëzuar shumë ndërtesa të kësaj periudhem të cilat do të mund të ruheshin e ridestinoheshin, por rrëzimi i tyre i ka hapur rrugë ndërtimeve që janë pa ndonjë stil të vecantë arkitekturor, e shumë herë që janë bërë pa patur fare projekt.
Kjo gjendje është dhe pasqyrim i gjendjes ekonomike-shoqërore të këtij qytetit, dhe duhet punuar që të mbrojmë ato pak ndërtesa me vlera të mirëfillta arkitektonike të periudhës së modernizmit që kanë mbëtur në Ferizaj.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Ecim rreth e përqark qytetit të Ferizaj dhe gjithë ajo që shohim janë ndërtimet e rregullta të viteve 60-80, fasada e të cilave nuk është renovuar ndoshta asnjëherë. Edhe ato ndërtime që dikur kanë qenë eminente për kohën e tyre, tashmë janë në gjendje shumë të keqe, saqe banorët vazhdimisht insistojnë t’i rrënojnë ato e t’i hapin rrugë ndërtimeve të reja.
Kurse ndërtimet e reja të 24 viteve të fundit nuk të lënë përshtypje estetikisht, pasiqë shumica prej tyre janë ndërtime pa leje, dhe duken që kanë dalë si bari i keq që do duhej crrënjosur.
Por, ato që nuk shihen e janë margaritarë të rrallë, janë shtëpitë e fillim shek.XX të cilat gjenden skutave të qytetit e rrallë kush di për to, meqenësë janë të rrethuara me ndërtime të larta. Ajo që është më e dukshmja, e që njihet si një nga shtëpitë më të vjetra që ka mbetur është shtëpia e familjes Tafarshiku në afërsi të “Xhamisë së Vogël”, apo sic njihet nga qytetarët “Xhamia e Boshnjakëve”
Zhvillimi i qytetit në aspektin arkitektonik mund të ndahet në katër periudha:
Që nga themelimi deri më 1944
Vitet 1944 – 1960
Vitet 1960 – 1999
1999 – deri në ditët e sotme
Për periudhën e parë kanë mbetur shumë pak ndërtime, që dëshmojnë për zhvillimin e qytetit, e njëra ndër to është edhe shtëpia e familjes Tafarshiku. Kjo shtëpi është ndërtuar në vitet 1900, ku gjatë viteve të 20’ta ka shërbyer edhe si shkollë – medrese, meqenësë gjendet në afërsi të xhamisë. Në vitet e 50’ta vecse është zhvendosur aty familja Tafarshiku, ku tashmë pronari i saj z.Avni Tafarshiku tregon që përgjatë viteve ka patur edhe ndryshime në planimetrinë e saj. Këto ndryshime janë bërë si pasojë e nevojave që kanë patur banorët dhe është adaptuar sipas tyre.
Sidoqoftë, kjo shtëpi nuk ka humbur karakterin e saj tradicional si dhe elementet kryesore mbeten të njejta, sic janë: struktura/muret, hapjet (dyer dhe dritare) dhe kulmi. Në ndërkohë, ajo që për mua si arkitekte ishte më interesante ishte se si kjo shtëpi është dëshmi e ndryshimeve urbanistike e sociale që kanë ndodhur përgjatë viteve. Shembull të kësaj kemi atë që brenda në njërën nga dhomat ende gjendet ‘hamamxhiku’ ku banorët janë pastruar, meqenësë deri vonë tualetet kanë qenë jashtë. Në vitet e 80’ta kur në këtë zonë është instaluar ujësjellësi dhe kanalizimi, shtëpisë, në anën lindore i është shtuar tualeti/banjo dhe hamamxhiku ka dalur jashtë përdorimit.
Kjo familje ende ruan gjësendet familjare që datojnë një shekull dhe nuk pranon ta rrënojë atë pavarësisht që rrethohet nga ndërtimet e egra. Ata me shumë dashamirësi na njoftuan për vlerat që ka kjo ndërtesë, por edhe me historikun e familjes dhe të njërës nga shtëpitë më të vjetra të qytetit, e që është në pronësi të njërës nga familjet që janë zhvendosur në fillet e zhvillimit të qytetit të Ferizajt, duke ardhur nga qyteti i Gjakovës.
Fatkeqësisht kjo shtëpi ende nuk gjendet nën mbrojtje, meqenëse vet pronarët hezitojnë ta bëjnë atë. Kjo për arsye që kjo shtëpi hyn nën mbrojtje, por që vet familja nuk ka mundësi ta restaurojë atë apo të bëjë ndonjë ndryshim, kurse institucionet nuk ofrojnë mbështetje financiare për restaurimin e saj. Kështu bllokohen pronarët, pa ofruar zgjidhje!
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Fshati Nikaj ndodhet në veriperëndim të Kaçanikut, si një vendbanim kodrinor që shtrihet në pjerrësinë lindore të Sharrit. Popullata e këtij fshati, gjatë gjithë kohërave të ndryshme të historisë ka qenë e gatshme të jetë afër atdheut si në arsim, kulturë, ekonomi, apo edhe në një ndër situatat më të vështira siç është lufta e fundit, ku në altarin e lirisë u flijuan dëshmorët: Feriz, Sadik, Xhevdet dhe Qemal Guri, gjithashtu edhe civilë siç ishin: Nerimane, Sevdije, Sylejman, Tahir Guri, Isa Hasanraku, Ali Sallahu, etj. për të mos harruar edhe shumë ushtarë të tjerë të luftës, pra që sot janë, dëshmorë, invalidë dhe veteranë të luftës.
Më datë 9 prill 1999 në fshatin Nikaj, ushtarët u përballën me ofensivën e forcave serbe, dhe fshati përnjëherë pothuajse u dogj. Gjatë luftimit korri fitore Brigada 162 “Agim Bajrami”, edhe pse gjatë kësaj beteje mbetën të plagosur 2 ushtarë Shefki Guri dhe Jashar Selimi. Këtë operacion të kundërvimit ndaj sulmeve të armikut dhe fitores së arritur e udhëhoqën komandant Shpata Feriz Guri dhe komandant i Batalionit të parë Heset Malsiu – Luani. Pas luftës, shkollës së mesme profesionale i vendoset emri i komandantit Feriz Guri, në nderim të veprës dhe jetës së tij.
Në vitin 2013 është përuruar memoriali për nder të dëshmoreve të fshatit, por që për fshtatarët ishte diskutabile nëse do të mjaftonte vetëm ai memorial apo duhet diçka më shumë për të kujtuar veprën e ushtarëve dhe momentet e luftës.
Pas shumë diskutimesh, banorët e fshatit Nikaj u mblodhën të gjithë dhe dëshmuan se edhe në paqe janë të bashkuar, si vendas dhe diasporë me qëllim të ruajtes së kujtimeve të cilat secili kishte në shtëpitë e tyre dhe që i ruante me shumë xhelozi. Ata ranë dakord që të realizojnë diçka me vlerë dhe të përjetshme, ku me 2019 në afërsi të lapidarit të dëshmorëve hodhën themelin e një kulle prej guri në nderim të kujtimit, të jetës dhe veprës së personave atdhedashës, ndërsa më 28 nentor 2022 u bë inagurimi i kullës në ditën e pavaresisë së Shqiperisë.
Kulla, simbol i tradits dhe i identitetit tonë, në kohë të ndryshme me funksione të ndryshme, me karakter mbrojtës dhe vrojtues, shtëpi banimi me një arkitekturë të veçantë. Aty ku kanë jetuar dhe kuvenduar shqiptarë në të mirë dhe në të keqe. Ku janë kryer rite si martesa, morte, pajtime të gjaqeve, mbyllja e hakmarrjeve, konflikte te ndryshme, por ka shërbyer edhe si institucion edukues. Kjo kullë-muze është ndërtuar me këtë stil arkitektonik me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të aspektit urbanistik tipik shqiptar.
Në këtë kullë – muze përfshihen artefakte 100 vjeçare nga jeta e përditshme e fshatarëve, sanaku i pajës, veshjet tradicionale shqiptare, vatra e zjarrit, sofra, gurë mulliri, rrotë qerre, gjetje arkeologjike në zonën e fshatit kryesisht gurë varror të periudhës osmane dhe më të hershme, si dhe ne fokus është lufta e fundit e cila është arsyeja kryesore e ndërtimit të kësaj kulle.
Kulla i dedikohet dëshmorëve dhe civileve të rënë. Të ekspozuar kemi nga fletoret e shkollës të një vajze 9 vjeçare e cila la ne gjysmë shkollën. Duke vazhduar me deshmorët, gjësendet personale dhe diplomat e fakulteteve të tyre, armët dhe uniformat. Gjithashtu muzeu është i pasuruar me ekspozitë fotografish të luftës.
Në katin e parë të kullës është salla që shfrytëzohet për mbledhje, për urime dhe organizime të fshatit, për përvjetorët e dëshmorëve dhe manifestime nga nxënësit e shkollës.
E gjithë puna është realizuar nga fshatarët, kontribuesit nga diaspora, si nga ana financiare, puna vullnetare fizike të cilët edhe gurët e kullës i kanë mbledhur nga terreni afër fshatit. Procesi i kullës në vazhdim deri në hapjen e saj është përkujdesur nga ekspertë të fushës së historisë, dhe të arkitekturës. Nuk ka munguar bashkëpunimi me profesorë dhe studentë nga Universiteti i Prishtinës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre deri përfundim të kullës.
Pavarësisht një avokimi të qëllueshëm për këtë muze kujtimesh të luftës së fundit, kulla në shumicën e rasteve ka dyert të mbyllura, kështu të merret parasysh nga institucioni lokal dhe ai kulturor që të arrihet një bashkëpunim që kulla të jetë gjatë gjithë kohës e hapur, të promovohet sa më shumë dhe të ketë organizime. Të vizitohet nga të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të cilët duhet patjetër që të dijnë për të kaluarën historike, dhe me fanatizëm t’a përcjellin atë edhe tek brezat mëtutje.
Kulla e Nikës është një histori suksesi e cila na dëshmon që kur komuniteti bashkohet për një punë të mirë, edhe rezultati nuk ka se si të jetë ndryshe.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Muzeu historik i një qyteti ka një rëndësi të madhe për të, sepse është vendi ku trashëgimia kulturore e një qyteti ruhet dhe ekspozohet. Përmes objekteve të ekspozuara, vizitorët mund të mësojnë mbi historinë dhe kulturën e qytetit. Muzeu ofron një hapësirë që përcjell historinë e kaluar në breza të ardhshëm dhe të ruajë identitetin kulturor të qytetit.
Qyteti i Ferizajt nuk ka patur muze deri më vitin 2011, por që me iniciativën e zyrtarit për trashëgimi kulturore Z.Ilir Bytyqi patën filluar kërkesat zyrtarë fillimisht në komunën e Ferizajt. Ai përmes një fushatë që nisi në qytetin e Ferizajt me rrethinë, arriti që themelojë Muzeun e Ferizajt dhe të mbledhë eksponante nga qytetarët. Ai shpjegon se si Muzeu është pjesë e organogramit të Komunës së Ferizajt që nga ky vit, por që zhvillimi i saj deri më sot ka ecur ngadalë për shkak të statutit jo të qartë dhe pengesave financiare. Kjo për arsye që trashëgimia kulturore nuk është një nga prioritetet, dhe kjo vlen edhe për muzetë e komunave tjera.
Që nga fillimi lokacioni i muzeut është vendosur të jetë në ndërtesën e Qendrës së Kulturës në Ferizaj, ngjitur me Galerinë e Arteve në Ferizaj. Vizitorët që shkojnë në galeri, kanë mundësi të vizitojnë edhe Muzeun.
Ai tregon se si ka nisur themelimi i saj nga pika zero dhe përveç procedurave zyrtare që është dashur të përfundohen, ai edhe privatisht është përkujdesur t’i vizitojë dashamirët e trashëgimisë kulturore gjithandej në komunën e Ferizajt dhe t’i bindë ata që të dhurojnë eksponantet e tyre me vlerë. Të gjitha eksponantet që gjenden në muze, thotë që janë të dhuruara nga qytetarët. Z. Bytyqi krijoi rrethin e bashkëpunëtorëve të tij, të cilët i ndihmuan të përhapin fjalën se po hapet një muze historik në qytet, ku janë ftuar që gjërat me vlerë historike t’ia dhurojnë muzeut. Ai madje ka hasur rezistëncë e skepticizëm nga ta, meqenëse është dashur t’i bindë që do kenë një vend dinjitoz të ekspozimit dhe përkujdesja nuk do të mungojë në asnjë rast.
Një rol të madh në atëkohë kanë luajtur edhe mediat, meqenëse i kanë ndihmuar në promovimin, por që bashkëpuntorë kanë patur edhe figura të rëndësishmë historike të qytetit dhe kanë mbajtur takime të shumta me qytetarë. Kështu, nga puna e tij e palodhur, tashmë janë mbi 1000 eksponante që vizitorët mund t’i shohin të ekspozuara në hapësirat e Muzeut.
Përveç eksponanteve të dhuruara, në vitin 2013 Muzeut të Ferizajt i janë kthyer edhe gjetje arkeologjike që mbaheshin në Muzeun Kombëtar të Kosovës, dhe njëra nga eksponantët është edhe e ashtuquajtura “Hyjnesha e Varoshit”, e cila daton nga periudha e neolitit. Z. Bytyqi këtë cilëson edhe eksponantin më me vlerë që kanë në muze.
Sa i përket inventarizimit, ata kanë një listë të eksponanteve që kanë tashmë në pronësi, ku janë të dhënat si: masa, gjatësia, emri, vendi i gjetjes, dhuruesi, periudha/viti që i takon. Përveç atyre eksponanteve që gjenden në muze për shkak të pamjaftueshmërisë së hapësirës, disa prej tyre mbeten të pa ekspozura deri sa të krijohen kushtet e duhura. Z. Bytyqi tregon që nuk ka patur tendenca që të rrezikohen ato nga ndonjë vjedhje apo dëmtim deri më tani, meqenëse janë plotësuar kushtet e sigurisë siç janë kamerat, si dhe ka sigurim fizik.
Numri i vizitorëve është në rritje e sipër dhe nga numri i përafërt në vit duket të jetë 6,000 vizitorë. Muzeu historik ofron një mundësi të shkëlqyer për edukimin dhe mësimin dhe për këtë arsye është punuar shumë për të lidhur bashkëpunim të mirë më shkollat fillore dhe të mesme në Ferizaj, ku është dashur që fillimisht të shkojnë të mbajnë ligjërata për vetdijësimin e gjeneratave të reja mbi historine lokale dhe rëndësinë e muzeut. Nisur nga kjo, kanë filluar të shpeshtohen vizitat e organizuara nga shkollat fillore dhe të mesme, gjë që e gëzon jashtëmase z. Bytyqi.
Muzeu historik është një burim i rëndësishëm për hulumtimin dhe studimin e historisë së një qyteti. Koleksionet e muzeut, dokumentet dhe informacioni i arkivuar ofrojnë burime të vlefshme për studiuesit, historianët dhe shkencëtarët e tjerë. Kjo ndihmon në zhvillimin e njohurive dhe kuptimit më të mirë të historisë së qytetit. Pavarësisht punës së madhe që është bërë nga një zyrtar i vetëm, Muzeu i Ferizajt ka shumë mangësi. Një nga ato është edhe mungesa e stafit, pasiqë një person i vetëm është edhe përgjegjës për muzeun, administrator, ciceron e të gjitha funksionet tjera. Shto kësaj edhe investimin e vogël që është bërë sa i përket pajisjes së muzeut me vendosjen e raftave dhe kurimit të hapësirës, gjë që mund të shkaktojë edhe konfuzion të vetë vizitorët.
Kur pyetëm të rinjtë e moshave 20 vjeç e më shumë në Ferizaj, shumica e tyre nuk dinë as për vendndodhjen e Muzeut. Në anën tjetër, zyrtari i muzeut tregon se si të rinjtë e moshave më të hershme se 18 vjeç ka raste kur kthehen disa herë për të vizituar muzeun. Pavarësisht asaj që ka shumë prej qytetarëve që nuk dinë për ekzistencën e një muzeu në qytet, shpresa jonë mbetet në edukimin e gjeneratave më të reja, në mënyrë që në vitet e ardhshme të angazhohemi edhe më shumë në rritjen e audiencës dhe edukimin e tyre.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Sa herë flasim për trashëgiminë kulturore të Ferizajt, duhet të nisim me atë se është qytet i ri e në këtë vit bëhen 150 vjet qysh prej themelimit të saj. Në dekadat e para të ekzistimit të qytetit, dimë se ka patur qytetarë të etnive të ndryshme, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre edhe përmes ndërtimeve. Sa i përket kësaj periudhe të ndërtimit, nuk numërojmë as 10 ndërtime që kanë mbetur nga ajo periudhe dhe shumica e tyre tani ka karakterin e shfrytëzimit publik të këtyre ndërtesave.
Para dy muajve, qytetarët e Ferizajt u zgjuan të shokuar për ta kuptuar që gjimnazi i parë shqip është kapluar nga flakët, një ditë pas fillimit të restaurimit. Kjo sigurisht që krijoi shumë konfuzion te qytetarët mbi motivet e djegies. Djegiet e qëllimshme të ndërtesave të mbrojtura janë shkatërrim i qëllimshëm ndaj pronave të kulturës ose të trashëgimisë kulturore. Këto veprime janë kriminale dhe shkatërrojnë jo vetëm strukturën fizike të ndërtesës, por gjithashtu humbin trashëgiminë kulturore të një vendi.
Ky rast i djegieve nuk ishte hera e parë, meqenëse këtë praktikë e kemi parë disa herë, jo vetëm në qytetin e Ferizajt por edhe në Prizren, Prishtinë apo qytete tjera. Qytetarët ende kujtojnë rastin e djegies së ndërtesës së Maternitetit të Parë në qytet, ku pasiqë këtë ndërtesë e morën flakët, zyrtarët komunalë vendosën që ta shpallin si ndërtesë me rrezikshmëri të lartë për qytetarët, dhe e demoluan atë. Shtrohet pyetja: meqenëse na paska qenë rrezik për qytetarët djegia e saj, a nuk do të duhej që autoritetet komunale të angazhoheshin që të ngritin mekanizma për mbrojtjen e saj sa më të shpejtë?!
Kjo pyetje shtrohet me vonesë, pasi kjo ndërtesë nuk është më, dhe tani kanë mbetur vetëm histori gojore dhe ca foto nga ekzistenca e saj. Por, që duhet ta përdorim si mësim për të ardhmen.
I rikthehemi rastit të djegies së Gjimnazi të parë shqip në Ferizaj. Djegiet e kësaj ndërtese filluan qysh në vitin 2016, por që nga mobilizimi i qytetarëve, filluan hapat e parë me kërkesa për restaurimin e saj. Më pas, filluan djegiet e një-pasnjëshme në vitin 2020, atëherë kur shpërtheu pandemia. Nëse deri atëherë ka qenë vetëm një klasë e djeguar, deri në mars të 2023, u dogjën të gjitha klasët nga brenda. Kur filloi restaurimi, çuditërisht e morën flakët të gjithë ndërtesën.
E vetmja e mirë që nxori ky rast, ishte mobizilimi, qoftë i qytetarëve të Ferizajt për të reaguar dhe kërkuar llogari, por edhe nga Ministria e Kulturës për Rini dhe Sport, të cilët vazhduan punimet për restaurimin e saj. Në ndërkohë kemi patur reagime të pakapshme nga komunarët e Ferizajt, ku nën-kryetari, Z. Lulzim Aliu ka dhënë këtë reagim në rrjetet e tij sociale:
“Vërtetë u ndjeva i shqetësuar e i mërzitur nga ajo që ndodhi sot në Gjimnazin e vjetër në Ferizaj. Shumë pamje e vrazhdë dhe dëshpëruese. Ama, kur lexova kontratën e operatorit ekonomik, sikur m’u hoqën dilemat se dikush e ka bërë këtë veprim për qëllime tjera. Siç duket nga kontrata, kjo djegie e çkado që ka pasur brenda objektit, përfshirë tërë kulmin, ia paska lehtësuar punën kompanisë që e ka filluar punën e restaurimit.
Ndoshta dikush e ka bërë edhe për qëllime tjera, ama mos të ngutemi me vlerësime, me sharje, me fyerje e mos më keq.”
Për mua, si një qytetar, ishte një reagim që më hapi sytë. Kjo tregon për mënyrën më të thellë se si bëhen inskenimet për mashtrimet nga kompanitë e kontraktuara, gjë që për mua ishte e panjohur. Por, që më bëri të lidhi edhe rastet tjera. Faleminderit për informata të tilla z. nënkryetar.
Në anën tjetër, nga prononcimet e vazhdueshme gjatë ditëve në vijim, institucionet fajësonin njëra-tjetrën. Kjo te ne si qytetarë, po reflekton pasiguri. Nëse këto institucione nuk komunikojnë mes vete, dhe nuk angazhohen për të mirën e mirëqenies tonë dhe mbrojtjes së Trashëgimisë Kultorë, ku vallë duhet të drejtohemi kur kemi shqetësimë të njëmendta?
Derisa po lexoni këtë shkrim, për fat të mirë ndërtesa e Gjimnazit të Parë në gjuhën shqipe po vazhdon të restaurohet, pavarësisht rrezikut që i’u kanos. Në ndërkohë, ne mezi po presim të jemi dëshmitarë të luftës në vazhdimësi mes institucioneve për të vendosur destinacionin për shfrytëzimin e saj.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Gjatë ndërtimit të autostradës Prishtinë – Hani i Elezit në korrik të vitit 2014, kompania kishte hasur në material arkeologjik. Në fund të muajit shtator të vitit 2015 u realizuan gërmime shpëtimi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës ku u zbuluan struktura arkitektonike me material lëvizes tjegullash, fragmente qeramike, gozhda të hekurit, fibula bronzi, tri monedha, tri peshore nga argjila e pjekur, etj.
Lokaliteti i zbuluar në Rahovicë i takonte periudhës romake, ndërsa rreth 500 metra larg tij ishte edhe kisha mesjetare. Sipas profesionistëve ky lokalitet arkeologjik nuk posedonte ndonjë material të pasur arkeologjik që do të i’a vlente investimi i vazhdueshëm në të, prandaj sot gjurmët e tij janë të mbuluara nga autostrada.
Fatkeqesisht, zhvillimi urbanistik, aktivitetet bujqësore, turizmi masiv, ndërtimi i austostradave dhe rrugëve janë faktorë kyç në shkatërrimin e lokaliteteve arkeologjike. Por, nuk mund të themi që raste të tilla ndodhin vetëm në vendin tonë.
Ndërtimi i një autostrade qe lidh Sofinë (Bullgarinë) me Selanikun (Greqinë), krijoi rrezik në shkatërrimin e vendbanimit romak Skaptopara, apo shkatërrimi i nekropolit në fshatin Dren në Bullgari për shkak të autostradës Struma. Së fundmi edhe zbulimet arkeologjike në Karposh të Shkupit ku po bëheshin ndërtime kanë krijuar debat dhe reagime të shumta nëse punimet në këtë nekropol arkeologjik duhet të ndërprehen apo të vazhdojnë. Pra, përveç këtyre shembujve mund të listojmë pafund lokalitete arkeologjike të cilat janë shkatërruar për qëllime të caktuara urbanistike.
Duke marrë parasysh rastin e Rahovicës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhet që të investojë vazhdimisht në projekte arkeologjike të cilat mundesojnë evidentimin e lokaliteteve arkeologjike, që pastaj të bëhet planifikimi urban.
Tani, kerkimet arkeologjike gjithnjë e më shumë shoqërohen me aktivitete gjeodezike me ndihmën e teknologjive moderne për të parë vendodhjen, formën, madhesinë, pra për të modeluar peisazhin e plotë të lokalitetit arkeologjik që ndodhet nën dhe.
Ruajtja e trashëgimise kulturore kontribuon në nxitjen dhe zhvillimin e ekonomisë, prandaj krijimi i kushteve dhe planifikimi paraprak eshte obligativ. Lokaliteti i Rahovicës është një ndër shembujt e pakët që bëri bujë mediatike, mirëpo sa shumë lokalitete të tjera janë shkatërruar pa reagime.
Në komunën e Ferizajit është identifikuar një numër i madh i lokaliteteve arkeologjike siç janë: Varoshi (lokalitet neolitik) ku nuk janë zhvilluar sondazhe arkeologjike, Nerodime e Poshtme (ku është zbuluar një kompleks ville i antikës së vonë, me një mozaik polikrom të mrekullueshëm), Nikadin (me gjurmë sipërfaqësore të një ville romake), etj. Këto lokalitete të zbuluara krijojnë idenë se kjo komunë ka pasur një të kaluar të rëndësishme historike dhe se hulumtimet e arkeologjike janë emergjente, e sidomos për faktin që gjatë viteve të fundit komuna e Ferizajit ka pësuar një plan urbanistik jo të mirfilltë rregullativ në kundërshtim me ligjin e planifikimit hapësinor. Ndërtimet ende vazhdojnë. Objektet e reja janë potencial kryesor në shkatërrimin e lokaliteteve arkeologjike të cilat nuk janë evidentuar ende.
Pra, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës duhet që të bashkëpunojnë mjaftushëm në mënyrë që fillimisht të bëhet një vlerësim arkeologjik paraprak para se të lëshohen lejet e ndërtimeve. Në këtë mënyrë nuk do të kishte probleme, dhe nuk do te shpenzohej një kosto e lartë e parash. Arkeologëve duhet patjetër që MKRS të i krijojë kushtet dhe kohën që të bëjë survejimet gjeofizike në mënyrë që të piketohen lokalitetet e mundshme arkeologjike, ndërsa qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që Trashëgimia Kulturore që ka vendi i tyre është në rrezik nga kaosi dhe ndërtimet pa leje dhe të pa planifikuara.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Nëse Shkodra ka Pietro Marubin, Korça Gjin Milin, padyshim që Kaçaniku ka Axhib Tushën. Ai ishte një fotograf i shquar që solli një pasqyrë të rëndësishme mbi veprimtarinë e qytezës. Ndonëse vështirësitë jetësore në periudha të ndryshme nuk mungonin ai nuk ndaloi asnjëherë, ndoqi dhe përjetoi ëndrrën e tij për gjashtë dekada me radhë, ku ndoshta shumica prej të tjerëve nuk e dinin se çka është aparati. Ai adhuronte aparatin, vazhdimisht shkrepte fotografi, kapte momente të ndryshme, mirëpo ato fotografi fatkeqësisht nuk e kanë një vend të denjë për t’u parë nga qytetarët e Kaçanikut.
Axhibi, ikonë, mjeshtër, koleksionist e arkivist, ishte i rrallë, i brishtë, shumë i dashur për të gjithë, gjithmonë me energji pozitive. Më kujtohet silueta e tij poshtë e lartë shëtitores së qytezës, shpeshherë me aparat të varur në qafë, për mua do të mbetet gjithmonë Ernest Hemingway siç e quante miku i tij.
Kam pasur nderin të realizoj një intervistë gjatë kohës kur isha në studime, sepse më duheshin disa informata në lidhje mbi qytetin tonë, por edhe për punën dhe jetën e tij. Mund të them që nuk kam takuar ndonjëherë një njeri të moshuar që donte kaq shumë jetën, duke u rrëfyer me shumë nostalgji për ditët e rinisë. Më tha që e njeh shumë mirë terrenin e komunës së Kaçanikut, dhe se e ka shkelur me këmbë çdo pëllëmbë toke të këtij vendi. Edhe shkrepja përmes një aparati paska vështirësi, për të shkrepur një foto të qytezës duhej të endej nga një cep në cepin tjetër, për të kapur të gjitha këndet e mundshme.
Axhib Tusha ishte institucion arkivor në vete, është e pamundur që të shkruajmë punime apo artikuj duke mos i’u referuar fotografive të tij. Në prag të vdekjes i nderoi qytetarët e Kaçanikut me një ekspozitë. Është për t’u çuditur se si ende nuk është nderuar figura dhe vepra e tij, një jetë kushtuar vendlindjes. E gjithë arkitektura e qytetit, objektet kulturore- historike, çarshia me kalldrëm, Kalaja, arkitektura e Teçës e cila tashmë nuk ekziston, çajtoret, bunari i vjetër, pazari, plepat e parkut, pamjet piktoreske të qytetit, të gjitha këto nën lensin e Axhib Tushës.
Ndonëse komuna e Kaçanikut është në proces e sipër të krijimit të një muzeu (me sektorë të Arkeologjisë, Etnologjisë dhe luftës së fundit), padyshim që duhet të planifikojë edhe në krijimin e një muzeu të fotografisë për të nderuar kontributin e tij. Një muze i fotografisë për Kaçanikun ndikon në lidhjen e komunitetit, në njohjen e qytetit dhe të personaliteteve të ndryshme që ka kapur lensi i mjeshtrit Axhib.
Një muze i fotografisë do të ishte diçka risi pë gjeneratat e reja të cilët kanë shumë pak informacione për të kaluarën e qytetit. Pse jo të jetë inspirim për entuziastët e fotografisë dhe aparatit dhe të njihet si muze i edukimit mbi fotografinë. Krijimi i një muzeu të tillë patjetër që ndikon në zhvillimin e turizmit dhe në pasurimin e mëtutjeshëm të kësaj qyteze që veçse ka një pamje dhe është e mbushur me elemente historike fort të çmueshme për qytetarët dhe historinë.
“Marubi i Kaçanikut” nuk jeton më, poir mbetet gjithmonë i pashoq dhe nuk thonë kot, kur vdes plaku digjet nje bibliotekë!
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Në dekadat e kaluara, njerëzit “nuk dinin” mbi vlerën e trashëgimisë arkeologjike, prandaj nuk është për t’u çuditur nëse muret rreth e përqark shtëpisë janë ndërtuar nga gurët e ndonjë kalaje aty afër, apo nëse në oborr të shtëpisë ruhet një monument epigrafik me shkrim latin që mban informacione nga e kaluara, apo një thesar i çmueshëm monedhash është kthyer në një koleksion privat, ose është nxjerrë në tregun e zi për qëllime përfitimi. Këto dukuri janë prezente pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës. përfshirë edhe qytezën e Kaçanikut.
Territori i Kosovës si pjesë qendrore e Dardanisë, por edhe kushtet e volitshme topografike, klimatike, dhe bashkëpunimi ndërkufitar ka krijuar mundësitë që gjatë periudhës romake kjo qytezë të zotëroj një pozitë të rëndësishme që dëshmohet edhe nga prania e miljetreguesit së kohës së Antonin Piut dhe Aurelianit. Mjafton të marrësh një aparat, një fletore, dhe të dalësh në terren për të pyetur njerëzit mbi të kaluarën, informacionet do të jenë të shumta:
“Runjeva ka pasur dy kisha të kohës së Rimit, ku te njëra kishë ka qëndruar një murgeshë me emrin Runja, dhe tek tjetra një murgeshë me emrin Eva. Prandaj dhe fshati ka këtë emër. Gjithashtu, pranë shkollës së fshatit Runjevë janë gjetur gjurmë muresh me llaq gëlqereje, fragmente qeramike, tjegullash dhe tullash.”
“Po, këtu në Stagovë janë gjetur disa gypa të ujësjellësit që janë nga argjila.”
“Duke vendosur shtyllën elektrike pranë shtëpisë time (Gjurgjedellë), një punëtor maqedonas për një çast ka ndërprerë punimet duke marrë diçka nga toka dhe duke u larguar menjëherë. Mendoj që ka qenë diçka shumë me vlerë, sepse më vonë kanë dalur gjurmë të tjera arkeologjike të pazakonta.”
Të zgjohesh çdo ditë dhe të shohësh diçka të rrallë para shtëpisë nuk do të ishte keq, mirëpo nëse është pasuri kolektive atëherë pse mos t’i takojë muzeut, dhe institucionet të krijojnë kushtet adekuate që të mos zhbëhet.
Në kalanë e epërme të fshatit Kotlinë, është zbuluar një altar votiv nga mermeri me mbishkrim latin: Iovo Optimo Maximo, Germanicus, Mercatoris, miles legionis Quarte Flavie votum solvit. Senecio et Aemi(lia)no (consolibus). Pra. i dedikohet Jupiterit nga një ushtar vendas me emrin Germanicus Mercatoris, i cili kishte shërbyer në legjionin e katërt Flavia. Datohet sipas qeverisjes së konsujve të përmendur në mbishkrim që i takon shek. III të e.s. Ky monument ruhet nga një banor i këtij fshati i cili nuk lejon që monumenti të zhvendoset në shtëpinë e Kulturës, në ndërkohë sa komuna është ende në proces e sipër të krjimit të Muzeu. Është alarmante që institucionet e kësaj qyteze nuk arrijnë të krijojnë një fond të veçantë për trashëgiminë kulturore, duke marrë parasysh që artefaktet nuk dhurohen lehtë nga një pjesë e banorëve, dhe deri sa të krijohen kushtet për blerje ato mund të zhbëhen tërësisht si rezultat i kushteve jo-adekuate, siç është rasti i këtij monumenti.
Komuna e Kaçanikut është një ndër komunat më pak të hulumtuara sa i përket gërmimeve të mirfillta arkeologjike. Në kujtesën kolektive janë ruajtur shumë informacione nga e kaluara, prandaj pse mos të shfrytëzohen si bazë e hulumtimeve arkeologjike. Trajtimi i një çështje të tillë kërkon një kombinim strategjish mes institucioneve dhe profesionistëve të kësaj fushe. Prandaj më mirë në muze, si thesar kolektiv, se sa vetëm për vete.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
“Territori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me vullnetin e shprehur të popullit me të cilin ka të bëjë ndryshimi”. Ky është vetëm njëri nga nenet në deklaratën Kushtetuese të 7 shtatorit të vitit 1990 që ishte hapi i dytë i aktit kushtetues dhe politik pas asaj të 2 korrikut. Ky akt juridik u mbajt në Kaçanik, nga delegatët e Kuvendit të Kosovës në krye me kryetarin e dikurshëm të Kuvendit Ilaz Ramajlin dhe të tjerë siç ishin Qemajl Sahatçiu, Halit Muharremi dhe Maliqe Bajoku.
Foto nga Gazeta Bujku
Rrethanat e jashtëzakonshme, okupimi nga forcat policore dhe ushtarake të ish-jugosllavisë dhe Serbisë dhe regjimi që i’u bë qytetarëve të Kosovës që nga 2 korriku, krijoi tek qytetarët e Kosovës një vendosshmëri për shtetformim, prandaj u realizuan organizime sekrete të rrezikshme për shpalljen e një kushtetute që do të njihej si Kushtetuta e Kaçanikut.
Këtë vit bëhen 33 vite që nga shpallja e kësaj kushtetute. Dhoma se ku është shpallur gjendet në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik. Kjo dhomë deri vonë shfrytëzohej për aktivitete të ndryshme, që asesi nuk duhej të lejoheshin. Dhoma është nën mbrojtje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mirëpo është lënë në harresë. Kjo “mbrojtje” ka ndikuar që të mos investojë as komuna, ndonëse janë bërë përpjekje që të ruajnë të paktën muralet për shkak të mosrezistimit të dëmtimeve gjatë viteve. Për shkak të ruajtjes së origjinalitetit, deri më tani nuk ka ndonjë ndërhyrje në të përveç një pllake ku tregohet historia e kësaj salle e që është iniciativë nga vet komuna.
Ana pozitive është se dhoma ka origjinalitetin e saj, mirëpo nëse nuk merren masa për t’a restauruar, dëmtimet mund të dërgojnë në shkatërrimin dhe degradimin total të saj. Restaurimi duhet bërë në mënyrë korrekte, me materialin e njëjtë, me drurin e njëjtë, që t’i ruhet identiteti që ka. Disa nga hapat që do të duhej të ishin planifikuar për ruajtjen dhe promovimin e kësaj dhome janë:
Planifikimi për fatkeqësitë e mundshme, vlerësimi i rrezikut, në rast se ka ndonjë fatkeqësi si p.sh nga zjarri,
Rregullimi i temperaturës (jo shumë e lartë, jo shumë e ulët, jo e luhatshme),
Inspektimi i rregullt i karrigeve dhe drurit (ruajtja nga termitet),
Meqenëse materiali i karrigeve të kësaj dhome është dëmtuar shumë, duhet patjetër që në rast të ndryshimit të ruhet origjinaliteti dhe të i vendoset karrigeve materiali i njëjtë me atë paraprak, etj,
Krijimi i broshurave me format të njëjtë si kushtetuta, ku prezentohen të gjitha nenet, që çdo qytetar të arrijë të posedojë një për vete.
Çdo fotografi, apo video të kësaj ngjarje të prezentohet me anë të një ekrani në hyrje të dhomës.
Shndërrimi i kësaj dhome në një muze çmon punën e të gjithë atyre delegatëve të cilët pas këtij akti ishin të rrezikuar dhe që duhet të linin Kosovën për një vit duke mos e gëzuar një ngjarje të tillë. Shndërrimi i kësaj dhome në një muze është bazë e njohjes së historisë për çdo gjeneratë në Kosovë dhe në diasporë. Ndërhyrja në këtë dhomë është alarmante, shkresat e zyrtarëve për çdo përvjetor në rrjete sociale dhe deklaratat mediatike janë pikpamje absurde.
Nga institucionet më të rëndësishme që bëjnë pjesë në vargun e dikastereve shtetërore janë arkivat. Këto institucione kanë për detyrë të mbrojnë dhe të sigurojnë se materialet që krijohen sot dhe që janë krijuar në të kaluarën të jenë qasshme për t’u studiuar, dhe për t’u publikuar në të ardhmen si formë e mbrojtjes dhe përçimit të kujtesës kolektive të një shteti apo populli.
Arkivat posedojnë material të jashtëzakonshëm, dhe ky fakt e bënë tejet me vlerë për çdo studim të synuar në to. Studimet nuk do të thotë se duhet domosdoshmërísht të jenë vetëm historike, por ato mund të jenë, shoqërore, mjeksore, ekonomike, politike, kulturore, urbane dhe shumë lloje të tjera.
Arkivat ofrojnë mundësi të panumërta në hulumtimin, analizimin dhe interpretimin e aspekteve të ndryshme. Janë te pazëvendësueshme në detyrën që kryejnë, dhe si të tilla njihen si institucionet më të lashta që ka krijuar njeriu për të bërë më të lehtë funksionimin e shoqërisë së organizuar. Në Kosovë arkivat vendore u krijuan gjatë viteve 1948-1951, shumë vonë krahasuar me vende të tjera të botës e që shkas ishin rrethanat historike dhe politike në të cilat vendi ynë kaloi. Ato fillimisht ishin të gjitha të përqendruara në Prishtinë, nën dikasterin e Arkivit Shtetëror Krahinor të Kosovës, siç quhej asokohe.
Gjatë viteve 1968-1971 filloi rrjetëzimi i institucionit arkivor nëpër tërë Kosovën, duke krijuar një sërë arkivash rajonale nëpër komuna si ato të Gjilanit, Mitrovicës, Gjakovës, Prizrenit dhe të komunave të tjera. Kjo u bë për të lehtësuar punën e arkivës qendrore në Prishtinë dhe për të bërë të mundur mbledhjen dhe përpunimin e materialeve të ndryshme të cilat dita ditës po shtoheshin, përderisa fondkrijuesit rriteshin në numër dhe volumi i dokumenteve rritej bashkë me to masivisht.
Arkivat rajonale që u krijuan gjatë kësaj periudhe tani janë ato që quhen arkivat ‘ndërkomunale’ apo ‘historike’, kjo bëhet për t’i veçuar nga arkivat komunale të cilat u krijuan pas vitit 2000 kur shumë komuna të reja të cilat më herët ishin pjesë e komunave më të mëdha u bënë të veçanta dhe si pasojë ishte e nevojshme që të kenë edhe arkivat e tyre. Pra, në Kosovë ekzistojnë tri lloje të arkivash: Arkiva shtetërore në Prishtinë, Arkivat ndërkomunale/historike dhe Arkivat komunale. Të gjitha të rëndësishme për mbarvajtjen dhe ruajtjen e kujtesës historike dhe institucionale të vendit dhe popullit.
Me kalimin e dekadave shumë dokumente dhe materiale janë krijuar, që kanë vlerë të madhe, dhe që sot ndihmojnë në nxjerrjen e sa më shumë informacioneve për të kaluarën. Ndonëse arkivat u krijuan shumë vonë dhe si pasojë materialet nga periudhat më të hershme janë më të rralla, ato posedojnë material të mjaftueshëm për të lejuar fillet e studimeve pothuajse të panumërta nga qasja e tyre drejt problematikave të ndryshme të së kaluarës dhe të së tashmës.
Çka përmban një arkivë? Përmban dokumente nga më të ndryshme, të institucioneve shtetërore, private, jo-qeveritare, dokumente personale, gazeta, revista, harta, plane ndërtesash, fotografi, xhirime, pllakate, vula por edhe materiale elektronike të cilat nuk kanë kopje fizike pasi janë krijuar dhe ruhen në formate dixhitale. Nga arkivat mund të bëjmë krahasime statistikore, urbaniste, mësime mbi vetëdijen politike nëpër periudha të kaluara, zhvillimin ekonomik të parë nga secili institucion privat ose shtetëror, përjetime, dhe pafund hulumtime tjera. Materiali në arkiva është jetik, prandaj edhe është bazë e çdo hulumtimi.
Duke parë rëndësinë e arkivave në funksionimin e shtetit dhe shoqërisë mund të krijohet përshtypja se këto institucione janë të paqasshme për qytetarin e zakonshëm dhe mund të duken si tepër impozante dhe frikësuese, por kjo nuk qëndron kështu. Ato i përkasin secilit qytetar, dhe qasja në to është e garantuar me ligj dhe me të drejta ndërkombëtare të njeriut, është një e drejtë bazë për secilin person fiziko-juridik. Për shkak të ndjeshmërisë së materialit në arkiva nganjëherë qasja bëhet pak më e komplikuar, dhe duhet patjetër që të ndiqen disa procedura siç janë: piketimi i fondit apo koleksionit të listuar në udhërrëfyesin e arkivës që ne duam të hulumtojmë dhe periudhën kohore, e gjithë kjo duhet caktuar në recepsionin e arkivit. Pasi të jepen të gjitha të dhënat personale (nr. i kartelës identifikuese, vendbanimi etj). duhet pritur zakonisht 1-3 ditë që stafi ti gjejë materialet adekuate të cilat i kemi kërkuar. Në momentin që sigurojmë materialin e shumëpritur, me një kujdes të madh e shqyrtojmë, dhe studiojmë atë. Renditja e materialeve brenda kutive ose fashikujve është gjithashtu shumë e rëndësishme pasiqë e bënë të lehtë gjetjen e tyre sipas listave dhe citimin e saktë të tyre, prandaj zhvendosja e tyre apo ndërrimi i vendeve mund të krijojë telashe për arkivistët dhe hulumtuesit e ardhshëm të cilët mund të krijojnë paqartësi të shumta. Në momentin që arrijmë të gjejmë informatën e duhur për hulumtimin tonë, atëherë kalojmë tek faza tjetër e procesit që është ajo e përdorimit dhe publikimit të këtij materiali duke përdorur në mënyrë rigoroze citimin dhe të drejtën autoriale. Citimi duhet të përcjell standardet ndërkombëtare për të qartësuar se cilit institucion arkivor ky material i përket, duke shënuar sinjaturën e institucionit, numrin dhe titullin e fondit si dhe numrin e kutisë, fashikullit dhe faqes. Me kalimin e kësaj faze finale ne jemi gati të publikojmë punimin tonë në mbështetjen e materialeve arkivore së bashku me rezultatet dhe konkludimet tona finale.
Pra, arkivat janë tejet të rëndësishme në funksionimin e shtetit dhe shoqërisë. Pa kujtesën kolektive dhe institucionale ne nuk mund të kuptojmë rrjedhojën e ngjarjeve, vendimet, përjetimet, dhe shumë aspekte të tjera socio-kulturore, politike, ekonomike, etj. Qasja në arkiva, është e drejtë e çdo njeriu që mundëson që ne të arrijmë një konsensus për të kaluarën dhe të tashmen duke parashtruar sa më shumë pikëpamje personale, duke e bërë të mundur lulzimin e diversitetit të së menduarit për zgjidhje të problemeve të ndryshme dhe kuptimin multi-dimensional të së kaluarës.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Një mori asetesh arkeologjike dhe arkitekturore karakterizojnë komunën e Ferizajit dhe Kaçanikut, por dhe një mori ligjesh që duhet t’i mbrojnë ato. E metë e madhe që pavarësisht ligjeve, këto dy kategori vazhdojnë të dëmtohen dhe të zhduken, ndërsa institucionet që kanë përgjegjësinë kryesore të luftojnë këto dukuri, shpesh herë janë nismëtarët e shkatërrimit të tyre.
Ndërtesa e Gjimnazit të Parë në Ferizaj është njga ndërtimet më me rendësi në qytet, për të cilën java më parë kanë filluar edhe punët e restaurimit, por që është dashur kohë që të arrihet deri në këtë pikë. Në vitet 2016-2017 ka pasur tentativa për ta rrënuar nga institucionet lokale, por kjo u ndalua nga reagimet e shumta që ka patur në atë kohë nga qytetarët.
Në anën tjetër ndërtesa e shkollës ‘‘Tefik Çanga’’, e ndërtuar në fillim të vitit 1920, e cila i përkiste po të njëjtës periudhë ndërtimi sikurse shkolla e parë shqipe me të njëjtin stil arkitekturor, është rrënuar në vitin 2010 me vendim të komunarve të Ferizajt. Mbi vendqëndrimin e dikurshëm të objektit të shkollës me vlera të veçanta arkitektonike për qytetin e që përcjellte kujtesë për shumë gjenerata, është ndërtuar një ndërtesë e re e një shkolle fillore që mban emrin e Tefik Çangës.
Përderisa në Kaçanik, kalaja që gjendet në zemër të qytezës, hapësira brenda saj shfrytëzohet si parking. Muret e mbetura të kalasë që i takojnë shekullit XVI janë aty për të krijuar sigurinë e makinave, ndërsa ndërhyrjet që janë bërë për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e saj, veçse i ka kapluar vegjetacioni dhe duket sikurse ato nuk janë bërë asnjëherë. Për vizitorët që vinë për të parë këtë kala, eksperienca e tyre përfundon mu aty. Parkojnë makinën, tentojnë të shëtitin përreth, por që kjo është pothuaje e pamundur meqenëse shkallët e improvizuara përbëjnë rrezik. Kur institucionet përkatëse marrin në dorë restaurimin dhe konservimin e tyre, shumë objekte të trashëgimisë kulturore në të shumtën e rasteve dëmtohen ndjeshëm edhe atëherë kur restaurimi i tyre realizohet nën mbikëqyrjen e institucioneve të shtetit. Aktivistë dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore kanë ngritur shqetësimin se edhe atëherë kur shteti vendos të restaurojë asete të trashëgimisë kulturore, prapë se prapë këto asete dëmtohen ndjeshëm, me dëme të parikuperueshme.
Mënyrë tjetër e shkatërrimit të aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë ka qenë edhe përmes atyre që janë cilësuar aksidente. ‘‘Zjarret aksidentale’’ që përgjatë viteve kanë shërbyer si mënyrë për të hequr qafe objektet e mbrojtura me ligj. Dyshimet e gazetarëve, aktivistëve, e institucioneve të drejtësisë janë se pronarët në pamundësi për t’i rrënuar këto objekte, pasi ligji u’a ndalon, kanë zgjedhur zjarret si mënyrë për t’i shkrumbuar ato, dhe mbi to të ndërtojnë objekte të reja, e që kryesisht kanë pasur qëllime komerciale. Shembull konkret është ish-objekti i maternitetit në Ferizaj që kishte pësuar disa raste aksidentale, derisa nga institucionet u dha vendimi që të rrënohej përfundimisht nën arsyetimin se po rrezikohej siguria e njerëzve nga ndërtesa tejmase e dëmtuar.
Nuk mbaron këtu, të rrezikuara janë edhe shtëpitë e vjetra dhe kullat të mbrojtura nën listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, por në pronësi private. Këto asete të trashëgimisë kulturore vazhdojnë të shkatërrohen gati për çdo vit. Mungesa e investimeve nga institucionet shtetërore, si dhe mungesa e rifresktimit apo vazhdimit të listës të kësaj kategorie të mbrojtur, ka shërbyer që pronarët lehtësisht të rrënojnë shtëpi a kulla qindra vjeçare të vjetra.
Shumica e aseteve të trashëgimisë në Kosovë janë të dokumentuara dhe gjenden nëpër listat e institucioneve shtetëtore. Aktivistët për mbrojtjen e aseteve kulturore, pos që akuzojnë institucionet se nuk kanë bërë mjaftueshëm të mbrohen asetet e dokumentuara, ngrisin shqetësimin se ka edhe asete të trashëgimisë kulturore që nuk janë dokementuar dhe nuk janë pjesë e asnjë liste shtetërore, e të tilla asete janë edhe më të rrezikuara nga rrënimi.
Në Ferizaj e Kacanik është evident edhe fenomeni i mos regjistrimit të shumë objekteve që shumë lehtë do mund të përkisnin në listën e aseteve të trashëgimisë kulturore, por që kjo nuk ndodhë si pasojë e asaj që shumë prej pronarëve, kjo për arsye që pronarët privatë e shohin këtë vetëm si pengesë në planet e tyre dhe mungesa e përkrahjes financiare u’a pamundëson atyre shpesh që të ruajnë vlerat arkitektonike e të luajtshme të ndërtimeve.
Vetëm në qendër të Ferizajt janë mbi 20 ndërtesa gati 100 vjeçare të cilat nuk janë të evidentuara nëpër listat shtetërore të trashëgimisë kulturore. Duke parë lehtësinë e rrënimit të aseteve të trashëgimisë kulturore që edhe ishin nëpër kategoritë e mbrojtura, atëherë lehtësisht mund të paramendohet fati i këtyre aseteve. Fat të tillë përgjatë këtyre viteve veçse kanë patur disa shtëpi të cilat i kanë takuar stilit italian të ndërtuara gjatë viteve të 30’ta.
Qyteti i Ferizajt tashmë veçse ka ndërruar fizionominë e dikurshme – për shkak të ndërtimeve me leje e pa leje – dhe vazhdimi i këtij fenomeni veçse do e shpërfytëronte edhe më tej një ndër qytetet më të rinj në Kosovë. Por, as Kacaniku i cili konsiderohet të jetë një nga qytetet më të vjetra, nuk i ka shpëtuar këtij tjetërsimi.
Trashëgimia kulturore paraqet pjesë të rëndësishme të identitetit të një shoqërie. Kujtesa kolektive që ndërtohet për rreth këtyre aseteve është e lidhur ngushtë me identitetin e përgjithshëm shoqëror. Ruajtja e ndërtesave të vjetra është e rëndësishme për shkak se ato janë burime unike të informacionit dhe dokumentave mbi historinë dhe zhvillimin e një vendi. Janë burime të rëndësishme për arsimimin dhe kulturën, duke ofruar një pasqyrë të trashëgimisë dhe identitetit kulturor të një vendi. Në fund të fundit, është detyrë qytetare dhe përgjegjësi e jona që të ruajmë e kultitvojmë kulturën e identitetin tonë, për brezat e ardhshëm. Këto dy komuna meritojnë një përfaqësim të denjë arkitekturor dhe arkeologjik.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Epigrafia është një nga diciplinat ndihmëse të historisë dhe arkeologjisë. Përmes saj arrijmë të kuptojmë më shumë rreth jetës politike, shoqërore dhe religjioze në antikitet. Po ashtu, epigrafia ndërlidhet edhe me onomastiken, pra ndihmon në studimin e emrave të lashtë. Në ketë puntori, do të spjegohet përgjithësisht rreth bazave të epigrafisë, duke u ndalur më specifikisht tek epigrafia latine. Si rast studimi do përdoren kryesisht mbishkrimet e gjetura në territorin e Dardanisë së periudhës romake. Por, do trajtohen edhe mbishkrime të famshme nga Roma apo Pompei. Studentët do kenë rastin të mësojnë më shume rreth formulave epigrafike dhe zhvillimit të tyre. Po ashtu, përgjatë spjegimit do demonstrohet metoda e përkthimit të një mbishkrimi epigrafik. Kjo puntori ka për qëllim që studentët t’i mësojnë disa nga bazat e epigrafisë, në mënyrë që mbishkrimet dhe rëndësia e tyre mos të jenë të panjohura për ta, por, përkundrazi, të ju shërbejnë për thellimin e dijeve shkencore