E dija nga bisedat e shumta qe prapa Stacionit të Autobusëve në Ferizaj ka shtëpi të vjetra, prandaj fillova të trokas në dyert e secilit për informacione. Shumica prej tyre refuzuan të bisedojnë, meqenëse ishin të zënë me punë të përditshme dhe nuk gjenin kohë të më përgjigjeshin. Dikur u lodha duke tentuar t’i bind për t’i intervistuar dhe vendosa që kjo do të jetë shtëpia e fundit që hyj. U prezantova dhe fillova fjalimin tim qe isha duke e përsëritur që sa herë, se si jam këtu që të mbledh informacione për shtëpitë e vjetra të kësaj lagje dhe të shkruaj rreth tyre.
Pyetja e parë që pati pronari ndaj meje ishte: “Cka ke me shkru që jam?”. – Unë i drejtohem: “Cka jeni ju?”- Ai me plot krenari më thotë: “Egjiptas!”. – Unë thjesht përgjigjem: “Atëherë do e shkruaj që kjo është shtëpia e një familje egjiptase”. Dhe kështu fillon komunikimi me respekt të ndërsjelltë.
Nga takimi me Z. Ibraimi nuk mora shumë informacion të prekshëm mbi ndërtimet në atë pjesë, pasiqë shtëpia e vjetër në të cilën ai është rritur, nuk është më. Kjo duke qenë që jo vetëm familja e tij, por edhe shumë të tjera nuk arritën dot të ndërtonin shtëpi me struktura të qëndrushme, për shkak që kanë jetuar në varfëri. Por gjyshërit e tij kur janë zhvendosur fillimisht në qytetin e Ferizajt, atëkohë sa ishte ende në fillet e saj, materialet ndërtimore ishin të kushtueshme dhe ndërtuan shtëpinë e tyre me thupra druri. Ata punonin si rrabaxhinjë dhe vite më vonë filluan të merren edhe me zdrukthtari. Kur industrializmi mori hov në Ferizaj, burrat e familjës Ibraimi u sistemuan në fabrika ku ushtronin zeje të ndryshme, një nga të cilat edhe zdrukthtaria. Nënvetdije, nga mishërimi me varfërinë dhe duke qenë të rrethuar me dru qysh para tri gjeneratave, kjo familje vazhdon ta ushtrojë këtë zeje, qoftë edhe për hobi.
Gjithë ajo që njohim për trashëgimi arkitektonike janë ndërtimet nga familje të pasura që kanë patur mundësi të ndërtojnë struktura që do i rezistonin kohës. Madje edhe historinë e bëjnë po këto mbetje arkitektonike, e që gjeneratave të ardhshme i lënë pas shpesh herë edhe përshtypjen që kësisoj ka jetuar popullsia në periudha të caktuara. Por, a duhet edhe ne të adhurojmë arkitekturën e vjetër që i rezistoi kohës vetëm pse është ndërtuar nga ndonjë familje elitare? Edhe arkitektura që është punuar nga familje të varfëra apo mesatare, jep shumë informacione mbi gjenden sociale e kulturore të kohës, por që nuk i reziston dot faktorëve të jashtëm. Kjo nuk do të thotë që nuk kanë ekzistuar. Po ne që i përkasim shtresës së mesme, a do fshihemi nga historia vec pse nuk arrijmë të ndërtojmë shtëpi glamuroze e t’i mirëmbajmë ato më shekuj?
Në pjesën ku gjendet shtëpia e familjes Ibraimi janë 4 shtëpi të cilat janë diku 80-100 vjecare, të gjitha të fasaduara me gëlqere. Në anën tjetër të rrugës ka qenë edhe fabrika e gëlqeres ku shumica prej tyre kanë punuar si punëtorë të thjeshtë. Më pas me të njejtin material kanë ngjyrosur edhe shtëpitë e tyre, ku mund të shihet edhe sot. Ndonëse nuk ka të dokumentuar asgjë as për këtë fabrikë, banorët tregojnë se si ka qëne fabrikë e madhe që ka patur shumë të punësuar. Si dëshmi mbetet vetëm fasada në këto shtëpitë përreth.
Prandaj, ky artikull i kushtohet banorëve ferizaj të cilët gjithsecili ka dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e qytetit, emrat e të cilëve janë të panjohur e që përbëjnë shumicën e popullsisë
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.