KULLA E NIKËS- MUZEU I KUJTIMEVE 

Fshati Nikaj ndodhet në veriperëndim të Kaçanikut, si një vendbanim kodrinor që shtrihet në pjerrësinë lindore të Sharrit. Popullata e këtij fshati, gjatë gjithë kohërave të ndryshme të historisë ka qenë e gatshme të jetë afër atdheut si në arsim, kulturë, ekonomi, apo edhe në një ndër situatat më të vështira siç është lufta e fundit, ku në altarin e lirisë u flijuan dëshmorët: Feriz, Sadik, Xhevdet dhe Qemal Guri, gjithashtu edhe civilë siç ishin: Nerimane, Sevdije, Sylejman, Tahir Guri, Isa Hasanraku, Ali Sallahu, etj. për të mos harruar edhe shumë ushtarë të tjerë të luftës, pra që sot janë, dëshmorë, invalidë dhe veteranë të luftës. 

Më datë 9 prill 1999 në fshatin Nikaj, ushtarët u përballën me ofensivën e forcave serbe, dhe fshati përnjëherë pothuajse u dogj. Gjatë luftimit korri fitore Brigada 162 “Agim Bajrami”, edhe pse gjatë kësaj beteje mbetën të plagosur 2 ushtarë Shefki Guri dhe Jashar Selimi. Këtë operacion të kundërvimit ndaj sulmeve të armikut dhe fitores së arritur e udhëhoqën komandant Shpata Feriz Guri dhe komandant i Batalionit të parë Heset Malsiu – Luani. Pas luftës, shkollës së mesme profesionale  i vendoset emri i komandantit Feriz Guri, në nderim të veprës dhe jetës së tij.  

Në vitin 2013 është përuruar memoriali për nder të dëshmoreve të fshatit, por që për fshtatarët ishte diskutabile nëse do të mjaftonte vetëm ai memorial apo duhet diçka më shumë për të kujtuar veprën e ushtarëve dhe momentet e luftës. 

Pas shumë diskutimesh, banorët e fshatit Nikaj u mblodhën të gjithë dhe dëshmuan se edhe në paqe janë të bashkuar, si vendas dhe diasporë me qëllim të ruajtes së kujtimeve të cilat secili kishte në shtëpitë e tyre dhe që i ruante me shumë xhelozi. Ata ranë dakord që të realizojnë diçka me vlerë dhe të përjetshme, ku me 2019 në afërsi të lapidarit të dëshmorëve hodhën themelin e një kulle prej guri në nderim të kujtimit, të jetës dhe veprës së personave atdhedashës, ndërsa më 28 nentor 2022 u bë inagurimi i kullës në ditën e pavaresisë së Shqiperisë.  

Foto nga Kulla e Nikës, Prill 2023

Kulla, simbol i tradits dhe i identitetit tonë, në kohë të ndryshme me funksione të ndryshme, me karakter mbrojtës dhe vrojtues, shtëpi banimi me një arkitekturë të veçantë. Aty ku kanë jetuar dhe kuvenduar shqiptarë në të mirë dhe në të keqe. Ku janë kryer rite si martesa, morte, pajtime të gjaqeve, mbyllja e hakmarrjeve, konflikte te ndryshme, por ka shërbyer edhe si institucion edukues. Kjo kullë-muze është ndërtuar me këtë stil arkitektonik me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të aspektit urbanistik tipik shqiptar. 

Në këtë kullë – muze përfshihen artefakte 100 vjeçare nga jeta e përditshme e fshatarëve, sanaku i pajës, veshjet tradicionale shqiptare, vatra e zjarrit, sofra, gurë mulliri, rrotë qerre, gjetje arkeologjike në zonën e fshatit kryesisht gurë varror të periudhës osmane dhe më të hershme, si dhe ne fokus është lufta e fundit e cila është arsyeja kryesore e ndërtimit të kësaj kulle. 

Foto nga Kulla e Nikës, Prill 2023

Kulla i dedikohet dëshmorëve dhe civileve të rënë. Të ekspozuar kemi nga fletoret e shkollës të një vajze 9 vjeçare e cila la ne gjysmë shkollën. Duke vazhduar me deshmorët, gjësendet personale dhe diplomat e fakulteteve të tyre, armët dhe uniformat. Gjithashtu muzeu është i pasuruar me ekspozitë fotografish të luftës.  

Në katin e parë të kullës është salla që shfrytëzohet për mbledhje, për urime dhe organizime të fshatit, për përvjetorët e dëshmorëve dhe manifestime nga nxënësit e shkollës.

E gjithë puna është realizuar nga fshatarët, kontribuesit nga diaspora, si nga ana financiare, puna vullnetare fizike të cilët edhe gurët e kullës i kanë mbledhur nga terreni afër fshatit. Procesi i kullës në vazhdim deri në hapjen e saj është përkujdesur nga ekspertë të fushës së historisë, dhe të arkitekturës. Nuk ka munguar  bashkëpunimi me profesorë dhe studentë nga Universiteti i Prishtinës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre deri përfundim të kullës.

Pavarësisht një avokimi të qëllueshëm për këtë muze kujtimesh të luftës së fundit, kulla në shumicën e rasteve ka dyert të mbyllura, kështu të merret parasysh nga institucioni lokal dhe ai kulturor që të arrihet një bashkëpunim që kulla të jetë gjatë gjithë kohës e hapur, të promovohet sa më shumë dhe të ketë organizime. Të vizitohet nga të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të cilët duhet patjetër që të dijnë për të kaluarën historike, dhe me fanatizëm t’a përcjellin atë edhe tek brezat mëtutje. 

Kulla e Nikës është një histori suksesi e cila na dëshmon që kur komuniteti bashkohet për një punë të mirë, edhe rezultati nuk ka se si të jetë ndryshe. 

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.