Djegiet si mekanizëm i luftës kundër së vjetrës

Sa herë flasim për trashëgiminë kulturore të Ferizajt, duhet të nisim me atë se është qytet i ri e në këtë vit bëhen 150 vjet qysh prej themelimit të saj. Në dekadat e para të ekzistimit të qytetit, dimë se ka patur qytetarë të etnive të ndryshme, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre edhe përmes ndërtimeve. Sa i përket kësaj periudhe të ndërtimit, nuk numërojmë as 10 ndërtime që kanë mbetur nga ajo periudhe dhe shumica e tyre tani ka karakterin e shfrytëzimit publik të këtyre ndërtesave. 

Para dy muajve, qytetarët e Ferizajt u zgjuan të shokuar për ta kuptuar që gjimnazi i parë shqip është kapluar nga flakët, një ditë pas fillimit të restaurimit. Kjo sigurisht që krijoi shumë konfuzion te qytetarët mbi motivet e djegies. Djegiet e qëllimshme të ndërtesave të mbrojtura janë shkatërrim i qëllimshëm ndaj pronave të kulturës ose të trashëgimisë kulturore. Këto veprime janë kriminale dhe shkatërrojnë jo vetëm strukturën fizike të ndërtesës, por gjithashtu humbin trashëgiminë kulturore të një vendi. 

Ky rast i djegieve nuk ishte hera e parë, meqenëse këtë praktikë e kemi parë disa herë, jo vetëm në qytetin e Ferizajt por edhe në Prizren, Prishtinë apo qytete tjera. Qytetarët ende kujtojnë rastin e djegies së ndërtesës së Maternitetit të Parë në qytet, ku pasiqë këtë ndërtesë e morën flakët, zyrtarët komunalë vendosën që ta shpallin si ndërtesë me rrezikshmëri të lartë për qytetarët, dhe e demoluan atë. Shtrohet pyetja: meqenëse na paska qenë rrezik për qytetarët djegia e saj, a nuk do të duhej që autoritetet komunale të angazhoheshin që të ngritin mekanizma për mbrojtjen e saj sa më të shpejtë?!

Kjo pyetje shtrohet me vonesë, pasi kjo ndërtesë nuk është më, dhe tani kanë mbetur vetëm histori gojore dhe ca foto nga ekzistenca e saj. Por, që duhet ta përdorim si mësim për të ardhmen. 

I rikthehemi rastit të djegies së Gjimnazi të parë shqip në Ferizaj. Djegiet e kësaj ndërtese filluan qysh në vitin 2016, por që nga mobilizimi i qytetarëve, filluan hapat e parë me kërkesa për restaurimin e saj. Më pas, filluan djegiet e një-pasnjëshme në vitin 2020, atëherë kur shpërtheu pandemia. Nëse deri atëherë ka qenë vetëm një klasë e djeguar, deri në mars të 2023, u dogjën të gjitha klasët nga brenda. Kur filloi restaurimi, çuditërisht e morën flakët të gjithë ndërtesën. 

E vetmja e mirë që nxori ky rast, ishte mobizilimi, qoftë i qytetarëve të Ferizajt për të reaguar dhe kërkuar llogari, por edhe nga Ministria e Kulturës për Rini dhe Sport, të cilët vazhduan punimet për restaurimin e saj. Në ndërkohë kemi patur reagime të pakapshme nga komunarët e Ferizajt, ku nën-kryetari, Z. Lulzim Aliu ka dhënë këtë reagim në rrjetet e tij sociale:

“Vërtetë u ndjeva i shqetësuar e i mërzitur nga ajo që ndodhi sot në Gjimnazin e vjetër në Ferizaj. Shumë pamje e vrazhdë dhe dëshpëruese. Ama, kur lexova kontratën e operatorit ekonomik, sikur m’u hoqën dilemat se dikush e ka bërë këtë veprim për qëllime tjera. Siç duket nga kontrata, kjo djegie e çkado që ka pasur brenda objektit, përfshirë tërë kulmin, ia paska lehtësuar punën kompanisë që e ka filluar punën e restaurimit.

Ndoshta dikush e ka bërë edhe për qëllime tjera, ama mos të ngutemi me vlerësime, me sharje, me fyerje e mos më keq.”

Për mua, si një qytetar, ishte një reagim që më hapi sytë. Kjo tregon për mënyrën më të thellë se si bëhen inskenimet për mashtrimet nga kompanitë e kontraktuara, gjë që për mua ishte e panjohur. Por, që më bëri të lidhi edhe rastet tjera. Faleminderit për informata të tilla z. nënkryetar.  

Në anën tjetër, nga prononcimet e vazhdueshme gjatë ditëve në vijim, institucionet fajësonin njëra-tjetrën. Kjo te ne si qytetarë, po reflekton pasiguri. Nëse këto institucione nuk komunikojnë mes vete, dhe nuk angazhohen për të mirën e mirëqenies tonë dhe mbrojtjes së Trashëgimisë Kultorë, ku vallë duhet të drejtohemi kur kemi shqetësimë të njëmendta?

Derisa po lexoni këtë shkrim, për fat të mirë ndërtesa e Gjimnazit të Parë në gjuhën shqipe po vazhdon të restaurohet, pavarësisht rrezikut që i’u kanos. Në ndërkohë, ne mezi po presim të jemi dëshmitarë të luftës në vazhdimësi mes institucioneve për të vendosur destinacionin për shfrytëzimin e saj.

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.