Si gllabërohen lokalitetet arkeologjike?

Gjatë ndërtimit të autostradës Prishtinë – Hani i Elezit në korrik të vitit 2014, kompania kishte hasur në material arkeologjik. Në fund të muajit shtator të vitit 2015 u realizuan gërmime shpëtimi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës ku u zbuluan struktura arkitektonike me material lëvizes tjegullash, fragmente qeramike, gozhda të hekurit, fibula bronzi, tri monedha, tri peshore nga argjila e pjekur, etj. 

Foto e dërguar nga banorët e fshatit, daton nga muaji nëntor, 2015

Lokaliteti i zbuluar në Rahovicë i takonte periudhës romake, ndërsa rreth 500 metra larg tij ishte edhe kisha mesjetare. Sipas profesionistëve ky lokalitet arkeologjik nuk posedonte ndonjë material të pasur arkeologjik që do të i’a vlente investimi i vazhdueshëm në të, prandaj sot gjurmët e tij janë të mbuluara nga autostrada. 

Fatkeqesisht, zhvillimi urbanistik, aktivitetet bujqësore, turizmi masiv, ndërtimi i austostradave dhe rrugëve janë faktorë kyç në shkatërrimin e lokaliteteve arkeologjike. Por, nuk mund të themi që raste të tilla ndodhin vetëm në vendin tonë. 

Ndërtimi i një autostrade qe lidh Sofinë (Bullgarinë) me Selanikun (Greqinë), krijoi rrezik në shkatërrimin e vendbanimit romak Skaptopara, apo shkatërrimi i nekropolit në fshatin Dren në Bullgari për shkak të autostradës Struma. Së fundmi edhe zbulimet arkeologjike në Karposh të Shkupit ku po bëheshin ndërtime kanë krijuar debat dhe reagime të shumta nëse punimet në këtë nekropol arkeologjik duhet të ndërprehen apo të vazhdojnë. Pra, përveç këtyre shembujve mund të listojmë pafund lokalitete arkeologjike të cilat janë shkatërruar për qëllime të caktuara urbanistike. 

Duke marrë parasysh rastin e Rahovicës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhet që të investojë vazhdimisht në projekte arkeologjike të cilat mundesojnë evidentimin e lokaliteteve arkeologjike, që pastaj të bëhet planifikimi urban. 

Tani, kerkimet arkeologjike gjithnjë e më shumë shoqërohen me aktivitete gjeodezike me ndihmën e teknologjive moderne për të parë vendodhjen, formën, madhesinë, pra për të modeluar peisazhin e plotë të lokalitetit arkeologjik që ndodhet nën dhe. 

Ruajtja e trashëgimise kulturore kontribuon në nxitjen dhe zhvillimin e ekonomisë, prandaj krijimi i kushteve dhe planifikimi paraprak eshte obligativ. Lokaliteti i Rahovicës është një ndër shembujt e pakët që bëri bujë mediatike, mirëpo sa shumë lokalitete të tjera janë shkatërruar pa reagime. 

Në komunën e Ferizajit është identifikuar një numër i madh i lokaliteteve arkeologjike siç janë: Varoshi (lokalitet neolitik) ku nuk janë zhvilluar sondazhe arkeologjike, Nerodime e Poshtme (ku është zbuluar një kompleks ville i antikës së vonë, me një mozaik polikrom të mrekullueshëm), Nikadin (me gjurmë sipërfaqësore të një ville romake), etj. Këto lokalitete të zbuluara krijojnë idenë se kjo komunë ka pasur një të kaluar të rëndësishme historike dhe se hulumtimet e arkeologjike janë emergjente, e sidomos për faktin që gjatë viteve të fundit komuna e Ferizajit ka pësuar një plan urbanistik jo të mirfilltë rregullativ në kundërshtim me ligjin e planifikimit hapësinor. Ndërtimet ende  vazhdojnë. Objektet e reja janë potencial kryesor në shkatërrimin e lokaliteteve arkeologjike të cilat nuk janë evidentuar ende.

Pra, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës duhet që të bashkëpunojnë mjaftushëm në mënyrë që fillimisht të bëhet një vlerësim arkeologjik paraprak para se të lëshohen lejet e ndërtimeve. Në këtë mënyrë nuk do të kishte probleme, dhe nuk do te shpenzohej një kosto e lartë e parash. Arkeologëve duhet patjetër që MKRS të i krijojë kushtet dhe kohën që të bëjë survejimet gjeofizike në mënyrë që të piketohen lokalitetet e mundshme arkeologjike, ndërsa qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që Trashëgimia Kulturore që ka vendi i tyre është në rrezik nga kaosi dhe ndërtimet pa leje dhe të pa planifikuara.  

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.