Një muze të fotografisë për Kaçanikun

Nëse Shkodra ka Pietro Marubin, Korça Gjin Milin, padyshim që Kaçaniku ka Axhib Tushën. Ai ishte një fotograf i shquar që solli një pasqyrë të rëndësishme mbi veprimtarinë e qytezës. Ndonëse vështirësitë jetësore në periudha të ndryshme nuk mungonin ai nuk ndaloi asnjëherë, ndoqi dhe përjetoi ëndrrën e tij për gjashtë dekada me radhë, ku ndoshta shumica prej të tjerëve nuk e dinin se çka është aparati. Ai adhuronte aparatin, vazhdimisht shkrepte fotografi, kapte momente të ndryshme, mirëpo ato fotografi fatkeqësisht nuk e kanë një vend të denjë për t’u parë nga qytetarët e Kaçanikut. 

Foto e huazuar nga facebook: Axhib Tusha

Axhibi, ikonë, mjeshtër, koleksionist e arkivist, ishte i rrallë, i brishtë, shumë i dashur për të gjithë, gjithmonë me energji pozitive. Më kujtohet silueta e tij poshtë e lartë shëtitores së qytezës, shpeshherë me aparat të varur në qafë, për mua do të mbetet gjithmonë Ernest Hemingway siç e quante miku i tij.

Kam pasur nderin të realizoj një intervistë gjatë kohës kur isha në studime, sepse më duheshin disa informata në lidhje mbi qytetin tonë, por edhe për punën dhe jetën e tij. Mund të them që nuk kam takuar ndonjëherë një njeri të moshuar që donte kaq shumë jetën, duke u rrëfyer me shumë nostalgji për ditët e rinisë. Më tha që e njeh shumë mirë terrenin e komunës së Kaçanikut, dhe se e ka shkelur me këmbë çdo pëllëmbë toke të këtij vendi. Edhe shkrepja përmes një aparati paska vështirësi, për të shkrepur një foto të qytezës duhej të endej nga një cep në cepin tjetër, për të kapur të gjitha këndet e mundshme. 

Foto e huazuar nga facebook: Axhib Tusha

Axhib Tusha ishte institucion arkivor në vete, është e pamundur që të shkruajmë punime apo artikuj duke mos i’u referuar fotografive të tij. Në prag të vdekjes i nderoi qytetarët e Kaçanikut me një ekspozitë. Është për t’u çuditur se si ende nuk është nderuar figura dhe vepra e tij, një jetë kushtuar vendlindjes. E gjithë arkitektura e qytetit, objektet kulturore- historike, çarshia me kalldrëm, Kalaja, arkitektura e Teçës e cila tashmë nuk ekziston, çajtoret, bunari i vjetër, pazari, plepat e parkut, pamjet piktoreske të qytetit, të gjitha këto nën lensin e Axhib Tushës.

 Ndonëse komuna e Kaçanikut është në proces e sipër të krijimit të një muzeu (me sektorë të Arkeologjisë, Etnologjisë dhe luftës së fundit), padyshim që duhet të planifikojë edhe në krijimin e një muzeu të fotografisë për të nderuar kontributin e tij. Një muze i fotografisë për Kaçanikun ndikon në lidhjen  e komunitetit, në njohjen e qytetit dhe të personaliteteve të ndryshme që ka kapur lensi i mjeshtrit Axhib.

 Një muze i fotografisë do të ishte diçka risi pë gjeneratat e reja të cilët kanë shumë pak informacione për të kaluarën e qytetit. Pse jo të jetë inspirim për entuziastët e fotografisë dhe aparatit dhe të njihet si muze i edukimit mbi fotografinë. Krijimi i një muzeu të tillë patjetër që ndikon në zhvillimin e turizmit dhe në pasurimin e mëtutjeshëm të kësaj qyteze që veçse ka një pamje dhe është e mbushur me elemente historike fort të çmueshme për qytetarët dhe historinë.  

“Marubi i Kaçanikut” nuk jeton më, poir mbetet gjithmonë i pashoq dhe nuk thonë kot, kur vdes plaku digjet nje bibliotekë!

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.