Kujt i përkasin gjetjet arkeologjike?

Në dekadat e kaluara, njerëzit “nuk dinin” mbi vlerën e trashëgimisë arkeologjike, prandaj nuk është për t’u çuditur nëse muret rreth e përqark shtëpisë janë ndërtuar nga gurët e ndonjë kalaje aty afër, apo nëse në oborr të shtëpisë ruhet një monument epigrafik me shkrim latin që mban informacione nga e kaluara, apo një thesar i çmueshëm monedhash është kthyer në një koleksion privat, ose është nxjerrë në tregun e zi për qëllime përfitimi. Këto dukuri janë prezente pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës. përfshirë edhe qytezën e Kaçanikut. 

Territori i Kosovës si pjesë qendrore e Dardanisë, por edhe kushtet e volitshme topografike, klimatike, dhe bashkëpunimi ndërkufitar ka krijuar mundësitë që gjatë periudhës romake kjo qytezë të zotëroj një pozitë të rëndësishme që dëshmohet edhe nga prania e miljetreguesit së kohës së Antonin Piut dhe Aurelianit. Mjafton të marrësh një aparat, një fletore, dhe të dalësh në terren për të pyetur njerëzit mbi të kaluarën, informacionet do të jenë të shumta: 

  • “Runjeva ka pasur dy kisha të kohës së Rimit, ku te njëra kishë ka qëndruar një murgeshë me emrin Runja, dhe tek tjetra një murgeshë me emrin Eva. Prandaj dhe fshati ka këtë emër. Gjithashtu, pranë shkollës së fshatit Runjevë janë gjetur gjurmë muresh me llaq gëlqereje, fragmente qeramike, tjegullash dhe tullash.”
  • “Po, këtu në Stagovë janë gjetur disa gypa të ujësjellësit që janë nga argjila.”
  • “Duke vendosur shtyllën elektrike pranë shtëpisë time (Gjurgjedellë), një punëtor maqedonas për një çast ka ndërprerë punimet duke marrë diçka nga toka dhe duke u larguar menjëherë. Mendoj që ka qenë diçka shumë me vlerë, sepse më vonë kanë dalur gjurmë të tjera arkeologjike të pazakonta.”

Të zgjohesh çdo ditë dhe të shohësh diçka të rrallë para shtëpisë nuk do të ishte keq, mirëpo nëse është pasuri kolektive atëherë pse mos t’i takojë muzeut, dhe institucionet të krijojnë kushtet adekuate që të mos zhbëhet. 

Në kalanë e epërme të fshatit Kotlinë, është zbuluar një altar votiv nga mermeri me mbishkrim latin: Iovo Optimo Maximo, Germanicus, Mercatoris, miles legionis Quarte Flavie votum solvit. Senecio et Aemi(lia)no (consolibus). Pra. i dedikohet Jupiterit nga një ushtar vendas me emrin Germanicus Mercatoris, i cili kishte shërbyer në legjionin e katërt Flavia. Datohet sipas qeverisjes së konsujve të përmendur në mbishkrim që i takon shek. III të e.s. Ky monument ruhet nga një banor i këtij fshati i cili nuk lejon që monumenti të zhvendoset në shtëpinë e Kulturës, në ndërkohë sa komuna është ende në proces e sipër të krjimit të Muzeu. Është alarmante që institucionet e kësaj qyteze nuk arrijnë të krijojnë një fond të veçantë për trashëgiminë kulturore, duke marrë parasysh që artefaktet nuk dhurohen lehtë nga një pjesë e banorëve, dhe deri sa të krijohen kushtet për blerje ato mund të zhbëhen tërësisht si rezultat i kushteve jo-adekuate, siç është rasti i këtij monumenti. 

Komuna e Kaçanikut është një ndër komunat më pak të hulumtuara sa i përket gërmimeve të mirfillta arkeologjike. Në kujtesën kolektive janë ruajtur shumë informacione nga e kaluara, prandaj pse mos të shfrytëzohen si bazë e hulumtimeve arkeologjike. Trajtimi i një çështje të tillë kërkon një kombinim strategjish mes institucioneve dhe profesionistëve të kësaj fushe. Prandaj më mirë në muze, si thesar kolektiv, se sa vetëm për vete. 

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.