Republika doli nga zemra e popullit- dhoma historike nën mëshirë të fatit në Kaçanik

Territori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me vullnetin e shprehur të popullit me të cilin ka të bëjë ndryshimi”. Ky është vetëm njëri nga nenet në deklaratën Kushtetuese të 7 shtatorit të vitit 1990 që ishte hapi i dytë i aktit kushtetues dhe politik pas asaj të 2 korrikut. Ky akt juridik u mbajt në Kaçanik, nga delegatët e Kuvendit të Kosovës në krye me kryetarin e dikurshëm të Kuvendit Ilaz Ramajlin dhe të tjerë siç ishin Qemajl Sahatçiu, Halit Muharremi dhe Maliqe Bajoku.

Foto nga Gazeta Bujku

Rrethanat e jashtëzakonshme, okupimi nga forcat policore dhe ushtarake të ish-jugosllavisë dhe Serbisë dhe regjimi që i’u bë qytetarëve të Kosovës që nga 2 korriku, krijoi tek qytetarët e Kosovës një vendosshmëri për shtetformim, prandaj u realizuan organizime sekrete të rrezikshme për shpalljen e një kushtetute që do të njihej si Kushtetuta e Kaçanikut. 

Këtë vit bëhen 33 vite që nga shpallja e kësaj kushtetute. Dhoma se ku është shpallur gjendet në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik. Kjo dhomë deri vonë shfrytëzohej për aktivitete të ndryshme, që asesi nuk duhej të lejoheshin. Dhoma është nën mbrojtje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mirëpo është lënë në harresë. Kjo “mbrojtje” ka ndikuar që të mos investojë as komuna, ndonëse janë bërë përpjekje që të ruajnë të paktën muralet për shkak të mosrezistimit të dëmtimeve gjatë viteve. Për shkak të ruajtjes së origjinalitetit, deri më tani nuk ka ndonjë ndërhyrje në të përveç një pllake ku tregohet historia e kësaj salle e që është iniciativë nga vet komuna. 

Ana pozitive është se dhoma ka origjinalitetin e saj, mirëpo nëse nuk merren masa për t’a restauruar, dëmtimet mund të dërgojnë në shkatërrimin dhe degradimin total të saj. Restaurimi duhet bërë në mënyrë korrekte, me materialin e njëjtë, me drurin e njëjtë, që t’i ruhet identiteti që ka. Disa nga hapat që do të duhej të ishin planifikuar për ruajtjen dhe promovimin e kësaj dhome janë: 

  • Planifikimi për fatkeqësitë e mundshme, vlerësimi i rrezikut, në rast se ka ndonjë fatkeqësi si p.sh nga zjarri,
  • Rregullimi i temperaturës (jo shumë e lartë, jo shumë e ulët, jo e luhatshme),
  • Inspektimi i rregullt i karrigeve dhe drurit (ruajtja nga termitet),
  • Meqenëse materiali i karrigeve të kësaj dhome është dëmtuar shumë, duhet patjetër që në rast të ndryshimit të ruhet origjinaliteti dhe të i vendoset karrigeve materiali i njëjtë me atë paraprak, etj,
  • Krijimi i broshurave me format të njëjtë si kushtetuta, ku prezentohen të gjitha nenet, që çdo qytetar të arrijë të posedojë një për vete. 
  • Çdo fotografi, apo video të kësaj ngjarje të prezentohet me anë të një ekrani në hyrje të dhomës.

Shndërrimi i kësaj dhome në një muze çmon punën e të gjithë atyre delegatëve të cilët pas këtij akti ishin të rrezikuar dhe që duhet të linin Kosovën për një vit duke mos e gëzuar një ngjarje të tillë. Shndërrimi i kësaj dhome në një muze është bazë e njohjes së historisë për çdo gjeneratë në Kosovë dhe në diasporë. Ndërhyrja në këtë  dhomë është alarmante, shkresat e zyrtarëve për çdo përvjetor në rrjete sociale dhe deklaratat mediatike janë pikpamje absurde.