PROBLEMATIKAT NË TRASHëGIMI KULTURORE

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

     Ndikimi i ndërtimeve në humbjen e identitetit të qytetit – rasti i nënkalimit në Ferizaj

    Projekti “Bashkimi i qytetit” i cili ka patur për qëllim që kinse të bashkojë një qytet të ndarë nga shinat e trenit, në vazhdimësi është përballur më probleme të ndryshme dhe rezistencë nga profesionistët. Por një pike tjetër ka mbetur e patrajtuar: konkurenca që i bën ndërtimeve kryesore në qytet të cilat janë nën mbrojtje të përhershme, duke përfshirë:

    • Stacionin e Trenit dhe 
    • Bibliotekën e qytetit.

    Ky projekt është një nga projektet më madhore dhe më të kushtueshme nga Komuna e Ferizajt, ku nga qeveritarët lokalë është quajtur edhe “mrekulli infrastrukturore” dhe krahasojnë ato më projekte madhore të ngashmë që kanë parë në shtetin e Zvicërrës. Ka mundësi që qeveritarët vetëm të kenë shfrytëzuar rrugët e Zvicrrës për tranzit dhe nuk kanë marrur mundin që të ndalen e vizitojnë hapësirat publike aq mirë të punuara e mirëmbajtura, apo edhe ndërtesat historike të cilat i ruajnë më aq përkushtim. 

    Mbrojtja e ndërtesave historike nga zhvillimet e reja urbanistike është një sfidë e rëndësishme për të ruajtur trashëgiminë arkitekturore dhe kulturale të një vendi. Ka disa praktika të mira që mund të zbatohen për të mbrojtur ndërtesat historike. Këtu janë disa prej tyre:

    1. Një mënyrë efektive për të mbrojtur ndërtesat historike është të krijojnë ligje dhe rregullore të veçanta që i kushtojnë kujdes të veçantë ruajtjes së tyre. Këto ligje duhet të përfshijnë leje të veçanta të ndërtimit për projekte në zonat e mbrojtura, rregulla për mirëmbajtjen dhe restaurimin e ndërtesave historike, si dhe sanksione për shkelësit.
    2. Identifikimi i zonave të veçanta të mbrojtura është një praktikë e zakonshme për ruajtjen e ndërtesave historike. Këto zona duhet të përcaktohen sipas kritereve të historisë, arkitekturës dhe vlerës kulturore të ndërtesave. Ndërtimet dhe ndryshimet e reja duhet të nënshtrohen kontrollit të rreptë për të siguruar që ata të respektojnë integritetin historik të zonës.
    3. Restaurimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave historike janë pjesë thelbësore të mbrojtjes së tyre. Ky proces duhet të bëhet me kujdes dhe në përputhje me metodat tradicionale të ndërtimit dhe materialet autentike. Restauratorët dhe arkitektët duhet të kenë njohuri të thella për stilin dhe teknikat e ndërtimit të periudhës së ndërtesës për të ruajtur integritetin historik.
    4. Informimi dhe edukimi i publikut janë thelbësore për të ndërgjegjësuar njerëzit rreth rëndësisë së ruajtjes së ndërtesave historike. Organizimi i ekspozitave, vizitave të guiduara dhe fushatave të ndërgjegjësimit mund të ndihmojnë në rritjen e vetëdijes dhe angazhimit të komunitetit në mbrojtjen e ndërtesave historike.

    Sa i përket pikës 1, kur është bërë planifikimi i projektit të sipër-përmendur, nuk janë marrur fare parasysh konkurenca estetike qe i bëhet ndërtesave historike, duke qenë që këto ndërtime janë në listën e mbrojtjes së përhershme dhe në perimeter prej 50m nuk lejohet – edhe pse kemi ligje në fuqi që e garantojnë një gjë të tillë.

    Sipas Planit Zhvillimor Komunal Objektivat 2017-2025 për fushën e trashëgimisë kulturore listohen si më poshtë:

    • 5.1. Identifikimi, incizimi, përkufizimi, mbrojtja dhe zhvillimi i lokaliteteve arkeologjike ishte pjesë edhe e planit të ma hershëm por përkufizimi adekuat dhe trajtimi më cilësor vazhdon të mbetet sfidë e madhe e trashëgimisë sidomos kur merret parasysh historiku i Ferizajt dhe potencialet e kësaj fushe; 
    • 5.2. Krijimi i masave të qëndrueshme për mbrojtjen, konservimin dhe rivitalizimin e strukturave dhe hapësirave të trashëgimisë kulturore historike, natyrore dhe historike; 
    • 5.3. Ri-përkufizimi i identitetit të komunës së Ferizajt duke zhvilluar projektin e Bifurkacionit të Neredimës dhe fuqizimi i Vizionit të komunës për këtë mrekulli të rrallë natyrore; 
    • 5.4. Kompletimi me infrastrukturë në strukturat dhe hapësirat arkeologjike, kulturo – historike duke marrë parasysh shfrytëzimin e këtyre vlerave dhe mbrojtjen e tyre për brezat e ardhshëm është prapë një sfidë; 
    • 5.5. Rritja e vetëdijes mbi vlerat e trashësisë kulturore, historike dhe natyrore; dhe 
    • 5.6. Gjenerimi i mjeteve nga vlerat e trashëgimisë është sfidë e cila duhet trajtohet dhe planifikohet në detaje në të ardhmen në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor dhe komplementare edhe me turizmin rural.

    Në ndërkohë asnjëri nga këto objektiva nuk janë arritur, kurse PZHK skadon brenda dy viteve. Por ajo që shohim ne në vazhdimësi është shtimi i ndërtimeve të larta, ku përhumben asetet e trashëgimisë kulturore. Kurse kjo i kontribuon për më shumë shkatërrimit të aseteve të cilat nuk janë futur asnjëherë nën mbrojtje. 

    Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

    ÇKA PO NDODHË ME KALANË E KAÇANIKUT?!

    Kalaja e Kaçanikut, një monument kulturor-historik, ndërtuar në vitin 1595 nën urdhërin e Sulltan Murtatit II, realizuar nga Koxha Sinan Pasha në qendër të qytetit mes dy lumenjve Lepenci dhe Nerodimja. Nga planimetria e kësaj kalaje sot kanë mbetur dy muret me lartësi deri në 6m (perëndim-veri), me portë hyrëse dhe kullën rrethore e cila ndodhet në lindje, në anën e djathtë të portës, ndërtuar nga gurë të lidhura nga llaqi gëlqeror, por edhe teknika me tulla e cila më shumë është përdorur si dekorim. Trashësia e mureve të kalasë sillet nga 1.5-2m. Të gjitha objektet e banimit që kjo kala kishte brenda saj, sot fatkeqësisht nuk ka asnjë gjurmë. 

    Në mes të kalasë gjendet motel “Kalaja” me veprimtari në të kaluarën ndërsa  sot jo. Ka vite që ka mbetur në kontekst gjyqësor duke pamundësuar ndryshimin apo krijimin e ndonjë muzeu brenda saj. 

    Përmes projektit Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHëB) dhe Komunës së Kaçanikut, në vitin 2015 është bërë konsolidimi i strukturës së murit veriperëndimor të kalasë dhe mbushja me gurë e pjesëve të murit. Që nga ajo periudhë nuk ka pasur më ndonjë ndërhyrje apo hap konkret për të ndryshuar hapësirën brenda këtij monumenti identifikues të qytetit

    Veçmas motelit, hapësira tjetër brenda kalasë vazhdon të shfrytëzohet si parking për vetura, duke i pamundësuar turistëve që të shijonë hapësirën e mbetur, e që shpesh është e mbushur me mbeturina. Për të parë pjesën e sipërme të kalasë dhe kullën duhet të kalosh mbi disa shkallë të shkatërruara të cilat jo vetëm që nuk të dërgojnë në destinacion por edhe mund të shkaktojnë dëmtime fizike duke tentuar të ecësh mbi to. 

    Nuk pastrohet, shpesh është me vegjetacion të lartë. Në të shumtën e rasteve hapësira brenda kalasë kundërmon rëndë për shkak të përdorimit të saj edhe për nevoja fiziologjike në mungesë të banjove publike. 

    Kalaja disa herë ka shërbyer si hapësirë për festivale dhe aktivitete të ndryshme të cilat gjithmonë janë mirëpritur nga komuniteti. Duhet të ishte e rrugës që çështja e motelit të merret më seriozisht nga komuna për të gjetur një zgjidhje adekuate që nuk rrezikon këtë monument të rëndësishëm. Kalaja duhet të ketë mirëmbajtje të vazhdueshme, të mos shfrytëzohet për nevoja personale, dhe të shikohet edhe në aspektin arkeologjik me anë të teknologjisë moderne për të parë më thellë planimetrinë e saj. 

    Disa hapat konkretë të cilat do të nxirrnin kalanë e Kaçanikut nga kolapsi i krijuar janë:

    • Çështja e motel “Kalaja” të jetë gjithmonë çështje primare, të negociohet që të mos ekzistojë më pavarësisht se ka shërbyer si strehim për udhëpërshkrues të ndryshëm në periudha të mëhershme. 
    • Përdorimi i metodave jo-intrusive në të, imazhe satelitore, skanime 3D, LiDAR, fotografime ajrore, etj. Të gjitha këto shërbejnë për të krijuar një imazh të thellë të kalasë.
    • Brenda hapësirës së kalasë të realizohen gërmime arkeologjike për të parë nëse ekziston ndonjë shtresë arkeologjike e periudhave më të hershme kulturore. 
    • Hapësira brenda kalasë të përdoret për ekspozita të ndryshme, programe edukative, performanca teatrale, interpretime artistike-kulturore etj.
    • Të angazhohet një ciceron i cili shpjegon dhe mirpret turistat, duke i treguar historinë e kalasë, por edhe të qytezës. 
    • Të realizohet një guidë arkeologjike për të piketuar të gjitha lokalitetet e mundshme arkeologjike, brenda qytetit dhe në rrethinë. 
    • Të krijohet një aplikacion online për të njoftuar qytetarët për të gjitha aktivtetet e mundshme që do të realizohen brenda kalasë. Pse jo që aplikacioni të ketë një pamje virtuale për njerëzit që janë në diasporë.
    •  Për shkaqe mirmbajtje dhe sigurie të kontraktohet një person i cili ruan kalanë nga vandalizimet të cilat gjithmonë janë të pranishme sidomos në këto lokalitete.
    • Meqënëse hapësira brenda kalasë është e madhe, një pjesë e vogël mund të shfrytëzohet nga qytetarët për një mini-treg në tezga ku mund të shesin artizanale tradicionale.
    • Një herë në vit të realizohen panaire të ndryshme qoftë libri apo edhe me ushqime tradicionale. 
    • Të realizohet “nata e filmit“, me anë të një projektori për rininë. 
    • Një vitrinë e vogël brenda kalasë të ketë libra për trashëgiminë kulturore (arkitekturore, etnologjike, dhe arkeologjike).
    • Hyrja për në kala të jetë me një çmim të volitshëm dhe e kategorizuar e cila do të përdoret për mirmbajtje të kalasë.

    Këto janë vetëm disa nga pikat të cilat do të ndikonin në të mirë të komunës së Kaçanikut, sidomos në aspektin ekonomik, dhe në zhvillimin e turizmit. Komuna e Kaçanikut duhet të bashkpunojë me institucione përkatëse lokale por edhe ndërkombëtare në mënyrë që të ndryshojë gjendja kaotike në të cilën kjo kala është vendosur. 

    Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

    A KEMI TOLERANCË FETARE NJËMEND?

    Ndonëse në Ferizaj ajo cka e karakterizon qytetin më së shumti është Kisha Ortodokse dhe Xhamia që për shumicën e audiencës njihet së janë në të njejtin oborr, e vërteta nuk qëndron kështu pasiqë kishën dhe xhaminë e ndanë një linjë murit. Në vitin 2018 prifti dhe hoxha kanë shprehur si shqetësim që të shkatërrohet kjo linjë e murit duket që nga atëherë dhe sot nuk është përfillur nga organet kompetente.  Ata të dy janë të shoqërueshëm ndërmjet vetë, kanë raporte të mira dhe i mirepresin të gjithë dhe sipas tyre politika nuk ka rëndësi. Kjo është ajo që ne si publik njohim, por sa është kjo e vërtetë?!

    Ka raste të ndryshme nga kolegët por edhe nga njerëzit që kam në rreth që shprehin indinjatën e tyre që  monumentet kulturore fetare ortodokse, e që kontrollohen nga serbët në Kosovë, nuk lejohen të vizitohen nga shqiptarët! 

    Unë personalisht si studiuese e trashëgimisë kulturore, përkatësisht arkeologjisë kam bërë disa vizita që më janë mundësuar ndër vite: 

    • Manastiri i Deçanit, 2015 –  në vitin e parë në fakultet ndërmjet Ambasadës së Amerikës në Kosovë dhe një nga ojq-të është mundësuar një shëtitje ditore për studentet e TK-së dhe fushave të ndryshme po ashtu me disa student të huaj që të vizitohet Manastiri i Deçanit, ajo cka kam parë tek hyrja më ka lënë përshtypjen sikur po kaloj ndonjë kufi apo po vizitoj një kazermë ushtrie dhe jo një monument kulturor. Përrreth rrugës e deri tek hyrja kishte ushtarë të armatosur, ndërsa ne studentët shqiptarë nguronin të flisnim gjuhën tone në territorin e shtetit tonë.
    • Manastiri i Graçanicës, 2016 – në vitin e dytë në fakultet në kuadër të punës praktike në terren u mundësua një shëtitje në lokalitet arkeologjike dhe monumente të ndryshme kulturore. Prape shëtitja ka qenë organizim me studentë të huaj, dhe per ne ishte fat të ishim pjesë e këtyre vizitave, ngaqë si student nuk do te kishim shumë mundësi dhe guxim t’i vizitonim këto monumente.
    • Prizren, 2017 –  në vizitat tek kishat ortodokse në Prizren nuk i gjetëm dyert e hapura tek Kisha e Shën Premtes, por tek Katedralja e Shën Gjergjit të paktën në oborr ishte roja. Ai  nuk na lejonte të futeshim brenda dhe u çudit nga fakti që ne si student shqiptarë dëshirojmë ta vizitojme atë. Prerazi tha që nuk lejohet, por insitonim dhe diskutonim shumë që të na lejonte. Arritëm ta bindim por na kërkoi që të hymë me rradhë dhe të kemi kujdes që të mos na shohë askush e mos qëndroni më shumë se 5 minuta. Ashtu edhe vepruam! Në anën tjetër Kisha e Shën Spasit – në shumicën e rasteve ka dyert e mbyllura, por patëm fatin të vizitojmë. 
    • Ferizaj, 2022 – Kisha Ortodokse “Shën Uroshi” , së fundmi pata rastin ta vizitoj gjatë punëtorisë me ojq THANA, ku të pranishëm ishim 14 studentë, dhe si pjesë e aktivitetit ku vizituam monumentet kulturore në qytet u ndalëm edhe te Kisha Ortodokse. Përsëri dyert e mbyllura! Doli roja të na njoftojë që ndalohet te vizitohet duke mos qene i pranishem prifti. Meqenësë kjo ishtë vite më vonë se vizitat e lartëpërmendura , të gjithë u shokuam dhe insistonim që të na lejonte të hymë brenda. Bashkëmentori i aktivitetit njeh mirë ligjet në fuqi dhe filloi të argumentojë ndaj rojes që është e drejta jonë që të mund të vizitojmë monumentet. Sic duket roja  është mjaftueshëm i vetdijshëm për këtë gjë, prandaj kompromisi ishte që ne të hymë të vizitojmë kishën por që na u konfiskuan telefonat dhe Letërnjoftimet.

    I kthehemi sërisht pjesës së parë ku, meqenëse unë tash jam derisa shkruaj këtu kam hamendje se si qendron e verteta?! Nga vizita që kishim në tetor të 2022 u binda që fjala “tolerancë fetare’ ka mbetur vetem një proverb për qytetin e Ferizajt.    

    Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

    Analiza dhe krahasime të ndërtesave përgjatë qytetit të sheshit në Ferizaj

    Shkruar nga Mirlinda Elezi – Arkitekte

    Sheshet/bulevardet gjithëmonë kanë patur rol të rëndësishëm në jetën sociale dhe kulturore të një qyteti. Aty janë zhvilluar takime të ndryshme, është zhvilluar tregti e kanë marrur vend shumë ngjarje të ndryshme historike. Sheshi në Ferizaj ka patur po të njejtën rëndësi.

    Gjendja aktuale e ndërtimeve përgjatë sheshit në Ferizaj, aty ku gjendet tash Hotel Lybeteni në drejtim të veriut deri te lokacioni ku janë Xhamia dhe Kisha Ortodokse, është shumë e lënë pas dore. Në këtë aks kemi ndërtime të periudhave të ndryshme, por që dominojnë ato të periudhës moderniste.

    Figure 1 Trajtimi i ndërtesave përgjatë aksit të sheshit në Ferizaj

    Figure 2 Vendndodhja e ndërtesave si shembull

    Biblioteka e qytetit “Sadik Tafarshiku” – është ndërtuar më 1908 dhe është ndërtesa më e vjetër publike në Ferizaj.Kjo ndërtesë i takon periudhës së parë të ndërtimit në Ferizah. Në të kaluarën kishte shërbyer si saraj për udhëheqësin Osman në Ferizaj, por ëshë shfrytëzuar edhe si burg dhe ndërtesë administrative për qytetin e Ferizajt. Funksioni I tanishëm është Bibliotekë.

    Kjo ndërtesë i takon stilit austro-hungarez por që në vete ka edhe elemente otomane. Pamja e saj e jashtme është ruajtur, por organizimi I brendshëm ka pësuar ndryshime varësisht prej funksioneve që ka marrur përgjatë viteve. Ka patur bodrum, I cili tashmë nuk ekziston, pasiqë është mbushur me dhe. Përvec hyrjes kryesore në anën perëndimore që ekziston ende, kjo ndërtesë ka patur edhe dy hyrje tjera. Njëra ka qenë në anën jugore e cila ka shërbyer për hyrje në bodrum, kurse tjetra ka qenë prapa ndërtesës, nga hekurudha, pra ana lindore e cila poashtu është mbyllur. 

    Biblioteka në librin Ferizaj dhe rrethina përshkruhet si në vazhdim:

    Një objekt publik I rëndësishëm I administratës turke është ndëtesa e vjetër e Administratës komunale. Objekti përbëhet nga kati përdhësë me një kat dhe gjendet në qendër të qytetit i rrethuar me gjelbërim. Ky object është I stilit klasik. Godina është ndërtuar prej tullave (nga Selaniku). Muret janë konstruktive (60-80 cm), pasi ndërkati është punuar në qemer.

    Figure 3 Biblioteka e qytetit, fotografuarnga ana jug-perëndimore, 1925

    Figure 4 Biblioteka e qytetit, fotografuar nga ana jug-lindore, 1963

    Figure 5 Vendndodhja e Bibkiotekës së qytetit

    Ndërtesa Krosa  (*Ky nuk është emri me të cilin njihet ndërtesa, por që tani është në posedim të pronarit me të njejtin mbiemër)

    Figure 6 Ndërtesa Krosa, Ferizaj, 2020

    Kjo është ndërtesa më e vjetër përgajtë sheshit, e cila është ndërtuar gjatë viteve 30-ta. Gjendet ngjtur me fasadën veriore të Hotel Lybetenit. Ka katër etazhe të cilat janë shfrytëzuar, duke përfshirë këtu edhe ajo që tash shfrytëzohet si nënkulm. Ndërtesa është gjatësore dhe në anët jugore dhe veriore gjithmonë ka patur ngjitur ndërtesa dhe rrjedhimisht hapje ka vetëm në anën lindore dhe perëndimore. Kati përdhesë qysh nga fillimi është shfrytëzuar për afarizëm, kati i parë, i dytë dhe i tretë janë shfrytëzuar për banim, si dhe nënkulmi si depo. Hyrja për banim është në anën lindore, kurse në pjesën perëndimore është pjësa ballore e ndërtesës  ku edhe ka karakeristikat e saj dalluese. Në pjesën ballore shihen thyerja përmes këndeve dhe ballkonet janë të hapura me grila të dekoruar të cilat ende mbesin nga koha e ndërtimit. Dritaret origjinale kanë qenë të drurit në anën ballore, kurse me alumin në fasadën prapa. 

    Në vitin 2015, kjo ndërtesë ishte në rrezik për tu rrënuar pasiqë ia futën flakën. Kjo është një praktikë e njohur në rast se pronarët duan të rrënojnë ndërtesa me vlera historike, por që nuk lejohen. Me rastin e djegjes ka pësuar më së shumti kati i sipërm. Deri atëherë kati ka qenë i plotë, kurse pas intervenimeve të mëvonshme tani është një nënkulm dhe shfrytëzohet si depo.

    Figure 7 Vendndodhja e Ndërtesës Krosa, Ferizaj

    Banesa e oficerëve

    Kjo është një nga ndërtesat më të hershme të banimit kolektiv në qytetin e Ferizajt. I takon viteve të 50’ta dhe ka qenë ndërtesa ku janë akomoduar ushtarët, dhe e quajnë si Banesa e Oficerëve. Ky ndërtim i paraprin ndërtimeve tjera modernizmit. 

    Figure 8 Në anën e majtë shihet Banesa e Oficerëve, Ferizaj, 1960

    Ndërtesa ka tri etazhe, P+2 ku përdhesa është shfrytëzuar dhe vazhdon të shfrytëzohet për afarizëm, kurse dy katët e sipërme për banim. Ndërtesa është në formë L-je dhe ka vazhduar aksin gjatësor të ndërtimeve në një linjë përgjatë sheshit, e që janë të puthitura me njëra-tjetrën, ndonësë janë 3 ndërtesa të periudhave të ndryshme.

    Sot, kjo ndërtesa nuk ka pësuar shumë ndryshime në fasadën e katëve të siperme, përvec ndryshimeve që janë bërë në përdhesë ku zhvillohen veprimtari të ndryshme ekonomike.

    Figure 9 Vendndodhja e Banesës së Oficerëve

    Hotel Lybeteni

    Ndërtesa e Hotel “Lybeteni” është një nga ndërtesat më kryesore të qytetit, jo për shkak të funksionit të saj, por sepse është një nga pikat kryesore identitare të Ferizajt. Deri para 20 viteve, kur ende ka patur harqet e betonit në fasadën jugore, kapte vëmendjen për shkak të arkitekturës më të vecantë që prezantonte në qytet si dhe domosdo edhe për shkak të muralit të Kamarierit të punuar në fasadën jugore. Kjo ndërtesë edhe ilustron se si ndërhyrjet pa plan mund të afektojnë një ndërtesë dhe të humbin ngadalë karakterin e ndërtesës.

    Figure 10 Kartolinë, Ferizaj, 1967

    Hotel Lybeteni u projektua nga D.Sugarcev, I.Sabic dhe M.Damjanovic gjatë fillimit të viteve 60’ta për tu funksionalizuar po atëherë. 

    Arkitektura i takon stilit modern të fazës së parë edhe pse i ndërtuar në pjesën e dytë të shek.XX. Objekti përbëhet prej përdhesës dhe tre etazheve. Përdhesa shfrytëzohej si restorant, kati i parë shfrytëzohej për shërbime administrative, ndërsa kati i dytë dhe i tretë shfrytëzohej si hotel. Struktura e hotelit është e formuar nga elemente modulare që përsëriten, të cilat shfaqen edhe në fasadë dhe reprezentojnë zona me funksione specifike. Muret e përdhesës janë të tërhequra brenda, kurse në skajet e jashtme vërehen shtyllat si struktura mbajtëse të vecuara, të njohura si pilotis. Elemente karakteristike për këtë object janë brisoletë si strukturë e përhershme për mbrojtje nga dielli, të cilat përvec funksionit mbrojtës krijojnë dinamikë në fasadën e objektit me anë të lojës hije-dritë.

    Kjo ndërtesë ka pësuar ndryshime të shumta përgjatë viteve, por më së shumti pas viteve 2000’ta ku për një periudhë të gjatë ka mbetur pa funksionin pjesa e hotelit. Kurse pjesa e integruar në anën lindore ka shërbyer për veprimtarinë e biznesevë. Investitorët e shumtë që kanë “investuar” në këtë objekt, realisht kanë shkatërruar karakteristikat e harqeve, e kjo ka përfunduar në vitin 2005, sic shihet në foton e mëposhtme.

    Figure 11 Foto nga Agron Sylemani, Ferizaj, 2005

    Si pikë strategjike në qytet, ky hotel gjendet në afërsi të Stacionit të Trenit, e cila mbetet ndërtesa më e vjetër në qytet. Para planit që Ferizaj të shndërrohej në një qytet modernist gjatë viteve të 60’ta, po në këtë vend ka qenë një pjesë e qarshisë së qytetit. Ne vend të Hotel Lybetenit ka qenë Shtëpia e Teodorit, objekt ky që i përkistë stilit austro-hungarez dhe i takonte një nga familjeve të para të qytetit, të cilët ishin cincarë. Kjo ndërtesë ishte edhe atëherë pikë referente e qytetit dhe kjo mund të jetë arsyeja që Hotel Lybeteni është 

    ndërtuar aty ku gjindet sot. 

    Figure 12 Kulla e Teodorit, vitet 50’ta

    Figure 13 Vendndodhja e Hotel Lybeteni, Ferizaj

    Ndërtesa e Bankos

     Ndërtesa u projektua në vitin 1979 nga arkitektët M.Visnjic dhe S. Odovic për tu funksionalizuar në vitet e 80’ta. Funksioni i ndërtesës në atë kohë ka qenë si bankë, që është quajtur edhe Bankos. 

    Figure 14 Fasada ballore e Bankos, 2020

    Gjendet përballë Hotel Lybetenit në hyrje të bulevardit të qytetit. Të gjitha elementet e ndërtesës janë forma drejtkëndore. Përdhesa është e tërhequr brenda, kurse mbështjellësi është i veshur me pllaka.

    Sikurse edhe ndërtesat tjera, edhe Bankos ka pësuar ndryshime, por që fatmirësisht vërehën vetëm në katin përdhesë ku janë bërë ndarje të reja të kthinave si dhe janë bërë ndërhyrje në fasadë me ndërrimin e dritareve. Ndërhyrje tjetër me rëndësi është dhe mbyllja e bodrumit e cila ka patur një hyrje në anën jugore, dhe kthinat poshtë përvecse kanë shërbyer si dhoma teknike, përmes hyrjes nga jashtë ka patur qasje për një kthinë që është shfrytëzuar për gastronomi.

    Para se të ndërtohej ndërtesa administrative Bankos në këtë lokacion, aty ishte Hotel Kosovska. Edhe kjo ndërtesë i përkiste stilit austro-hungarez dhe kishte rëndësi të vecantë në jetën shoqërore atëkohë, pasi pjesa përdhesë e saj shërbente për gastronomi. Kjo ndërtesë ishte ndërtuar në vitet e 20’ta dhe ishte aty deri në vitet e 80’ta kur u rrëzuar për t’i haour rrugë Bankosit.

    Figure 15 Ndërtesa në të majtë është Hotel Kosovsa, vitet e 50’ta

    Figure 16 Vendndodhja e Bankos, Ferizaj

    Në qytetin e Ferizajt dominojnë ndërtimet moderniste në qendër, ndonëse jo në numër por arkitektura e tyre monumentale dhe pozicioni i tyre i bën dukshëm të dallohën. Gjatë 20 viteve të fundit janë shkatërruar e rrëzuar shumë ndërtesa të kësaj periudhem të cilat do të mund të ruheshin e ridestinoheshin, por rrëzimi i tyre i ka hapur rrugë ndërtimeve që janë pa ndonjë stil të vecantë arkitekturor, e shumë herë që janë bërë pa patur fare projekt. 

    Kjo gjendje është dhe pasqyrim i gjendjes ekonomike-shoqërore të këtij qytetit, dhe duhet punuar që të mbrojmë ato pak ndërtesa me vlera të mirëfillta arkitektonike të periudhës së modernizmit që kanë mbëtur në Ferizaj.

    Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

    Në Ferizaj paskemi edhe shtëpi të vjetra që nuk janë nën mbrojtje

    Ecim rreth e përqark qytetit të Ferizaj dhe gjithë ajo që shohim janë ndërtimet e rregullta të viteve 60-80, fasada e të cilave nuk është renovuar ndoshta asnjëherë. Edhe ato ndërtime që dikur kanë qenë eminente për kohën e tyre, tashmë janë në gjendje shumë të keqe, saqe banorët vazhdimisht insistojnë t’i rrënojnë ato e t’i hapin rrugë ndërtimeve të reja. 

    Kurse ndërtimet e reja të 24 viteve të fundit nuk të lënë përshtypje estetikisht, pasiqë shumica prej tyre janë ndërtime pa leje, dhe duken që kanë dalë si bari i keq që do duhej crrënjosur. 

    Por, ato që nuk shihen e janë margaritarë të rrallë, janë shtëpitë e fillim shek.XX të cilat gjenden skutave të qytetit e rrallë kush di për to, meqenësë janë të rrethuara me ndërtime të larta. Ajo që është më e dukshmja, e që njihet si një nga shtëpitë më të vjetra që ka mbetur është shtëpia e familjes Tafarshiku në afërsi të “Xhamisë së Vogël”, apo sic njihet nga qytetarët “Xhamia e Boshnjakëve”

    Zhvillimi i qytetit në aspektin arkitektonik mund të ndahet në katër periudha:

    1. Që nga themelimi deri më 1944
    2. Vitet 1944 – 1960
    3. Vitet 1960 – 1999
    4. 1999 – deri në ditët e sotme

    Për periudhën e parë kanë mbetur shumë pak ndërtime, që dëshmojnë për zhvillimin e qytetit, e njëra ndër to është edhe shtëpia e familjes Tafarshiku. Kjo shtëpi është ndërtuar në vitet 1900, ku gjatë viteve të 20’ta ka shërbyer edhe si shkollë – medrese, meqenësë gjendet në afërsi të xhamisë. Në vitet e 50’ta vecse është zhvendosur aty familja Tafarshiku, ku tashmë pronari i saj z.Avni Tafarshiku tregon që përgjatë viteve ka patur edhe ndryshime në planimetrinë e saj. Këto ndryshime janë bërë si pasojë e nevojave që kanë patur banorët dhe është adaptuar sipas tyre.

    Sidoqoftë, kjo shtëpi nuk ka humbur karakterin e saj tradicional si dhe elementet kryesore mbeten të njejta, sic janë: struktura/muret, hapjet (dyer dhe dritare) dhe kulmi. Në ndërkohë, ajo që për mua si arkitekte ishte më interesante ishte se si kjo shtëpi është dëshmi e ndryshimeve urbanistike e sociale që kanë ndodhur përgjatë viteve. Shembull të kësaj kemi atë që brenda në njërën nga dhomat ende gjendet ‘hamamxhiku’ ku banorët janë pastruar, meqenësë deri vonë tualetet kanë qenë jashtë. Në vitet e 80’ta kur në këtë zonë është instaluar ujësjellësi dhe kanalizimi, shtëpisë, në anën lindore i është shtuar tualeti/banjo dhe hamamxhiku ka dalur jashtë përdorimit. 

    Kjo familje ende ruan gjësendet familjare që datojnë një shekull dhe nuk pranon ta rrënojë atë pavarësisht që rrethohet nga ndërtimet e egra. Ata me shumë dashamirësi na njoftuan për vlerat që ka kjo ndërtesë, por edhe me historikun e familjes dhe të njërës nga shtëpitë më të vjetra të qytetit, e që është në pronësi të njërës nga familjet që janë zhvendosur në fillet e zhvillimit të qytetit të Ferizajt, duke ardhur nga qyteti i Gjakovës.

    Fatkeqësisht kjo shtëpi ende nuk gjendet nën mbrojtje, meqenëse vet pronarët hezitojnë ta bëjnë atë. Kjo për arsye që kjo shtëpi hyn nën mbrojtje, por që vet familja nuk ka mundësi ta restaurojë atë apo të bëjë ndonjë ndryshim, kurse institucionet nuk ofrojnë mbështetje financiare për restaurimin e saj. Kështu bllokohen pronarët, pa ofruar zgjidhje!

    Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.